English

Nga janari i ardhshëm, KFOR-i reduktohet në 10 mijë trupa

Nga janari i vitit të ardhshëm në Kosovë do të mbeten 10 mijë trupa të KFOR-it dhe do të mbyllen disa baza ushtarake, tha në Prishtinë komandanti i forcave të përbashkëta të NATO-s në Napoli, admirali amerikan, Mark Ficxherald. Ai e vlerësoi të qetë dhe stabile gjendjen e sigurisë në Kosovë, ndërkaq përjashtoi çdo mundësi që ngritja e bazës ushtarake të Serbisë në afërsi të Bujanocit, të shihet si kërcënim për Kosovën

Zijadin Gashi

NATO vlerëson në vazhdimësi gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe mbi këtë bazë vendos për shkurtimin e trupave të KFOR-it, tha sot në Prishtinë, komandanti i forcave të përbashkëta në Napoli, admirali amerikan Mark Ficxherald. Pas një takimi që zhvilloi me komandantin e KFOR-it, gjeneralin gjerman Markus Bentler, admirali Ficxherald tha se në Kosovë viti 2009 shënoi një vit të sfidës, por edhe të suksesit. Zyrtari i NATO-s i cituar sot nga radio Evropa e Lirë, theksoi se në Kosovë tashmë ka përparime të mëdha në fushën e sigurisë, kështu që nga fillimi i vitit 2010 do të ketë shkurtime të trupave të KFOR-it. "NATO është deklaruar se nga janari do të fillojë shkurtimi i trupave deri në 10 mijë sa do të mbeten në Kosovë. Kjo nënkupton se disa baza do të mbyllen, si dhe të fillojë komandimi i këtyre trupave nga baza e KFOR-it në 'Film City', në Prishtinë", tha Ficxherald.Â

Ngritjes së shkallës së sigurisë, sipas tij, i kanë kontribuuar edhe mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë në fushën e sigurisë. Kurse, shkurtimi i mëtejmë i trupave ushtarake, tha Ficxherlad, do të varet nga gjendja e sigurisë në terren dhe vlerësimet e Komandës së NATO-s, në Bruksel. Sidoqoftë, Ficxherald tha se NATO do të ruajë një prani të saj në Kosovë. Admirali amerikan, po ashtu vlerësoi se ngritja e bazës ushtarake të Serbisë afër Bujanocit, që ndodhet në kufi me Kosovën, nuk shkel marrëveshjen e Kumanovës dhe nuk paraqet kërcënim për Kosovën. "Si shtet sovran ka të drejtë ta hapë atë bazë ushtarake, kurse unë nuk e shoh atë aspak si kërcënim për Kosovën", theksoi admirali Ficxherald. Admirali amerikan u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të kenë kujdes dhe të mos praktikojnë të festojnë me të shtëna armësh për festat e fundvitit, siç ndodh zakonisht në Kosovë. "Jemi të vendosur që të mos tolerojmë një sjellje të tillë, sepse kjo paraqet rrezik", vlerësoi admirali amerikan. Gjatë kësaj vizite, admirali Ficxherald u prit edhe nga udhëheqësit kosovarë, presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi si dhe ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota.

KOMENTE