English

Privatizimet klinteliste, dëmi te qytetarët

Bordi i Entit Rregullator të Energjisë është mbledhur për të vendosur mbi masën e rritjes së çmimit të energjisë pas kërkesës së bërë nga OSSH-ja. Propozimi i stafit teknik ishte që të ruhej shkallëzimi i çmimit deri në 300 kilovatë. Sipas këtij propozimi, çmimi e energjisë për konsumatorët familjarë, deri 300 kilovatë është 7.7 lekë dhe mbi 300 kilovat, 13.5 lekë. Ky vendim bie ndesh me kërkesën e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes që kërkon një rritje deri në 15 për qind të çmimit këtë vit duke u bazuar te kontrata e blerjes së kompanisë. Kjo situatë hap debatin mbi privatizimet problematike ne Shqipëri dhe mungesën e mbikëqyrjes së planit të tyre të investimeve pasi marrin në dorë pasuritë publike të shqiptareve

Mero Baze*

Çmimi i energjisë elektrike do të rritet në paku 13 për qind në janar të vitit që vjen për shkak të kontratës së qeverisë shqiptare me kompaninë çeke që ka blerë OSSH, sipas të cilës i lejohet kompanisë një rritje çmimi vjetor deri në 15 për qind.

Vendimi i sotëm i bordit të Entit Rregullator të Energjisë, është një përpjekje për ta disiplinuar rritjen me një përqindje pak më të vogël se ç'kërkojnë blerësit e kompanisë. Problemi që rihap ky debat, më shumë se sa me çmimin e energjisë elektrike ka të bëj me problematikën e privatizimeve të kompanive publike, defektet e të cilave shfaqen pas privatizimit.

Kështu privatizimi i rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, u bë në kushtet e mungesës së plotë të transparencës dhe favorizimit për arsye politike të blerësit çekë të kësaj kompanie.

Ky privatizim, i cili u përdor mes të tjerash për lobimin e qeverisë çeke lidhur me aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtar në BE në Prill të këtij viti, duket se po prodhon pasoja për qytetarët më pas.

Një ritëm i tillë i rritjes së çmimit të energjisë elektrike, është i pazakontë për qytetarët shqiptarë dhe është thjeshtë një pasojë që vjen nga politika dhe jo nga tregu.

I njëjti fenomen ndodhi dhe me privatizimin e ARMO-s, ku në fillim u tha për blerës strategjik dhe realisht kompania përfundoi në duart e Rezart Taçit, i cili në vend që ta zhvillonte rafinerinë, po e kthen atë në një lavatriçe të naftës kontrabandë duke prodhuar evazion fiskal dhe naftë me cilësi problematike për konsumatorët.

Problemi i dytë që hapin privatizime të tilla problematike, janë investimet. Kompania çeke që ka blerë OSSH-në, apo ata që kanë blerë ARMO-n kanë pasur një plan të qartë investimesh në kontratën e blerjes, i cili tashmë është shumë i vështirë të verifikohet për të mos thënë se nuk ekziston.

Ky në të vërtete ka qenë një kusht thelbësor për privatizimin, pasi privatizimet bëhen me synim zhvillimin e atyre kompanive që dalin në shitje.

Ajo që ndodh pas privatizimit është përpjekja e blerësve për t'i keqpërdorur asetet dhe për të nxjerrë fitime të shpejta duke neglizhuar detyrimet për investime të paraqitura në kushtet e kontratës, ç'ka përbën në të vërtetë një histori korrupsioni, të cilën e paguajnë qytetarët.

Dhe problemi i fundit që po del nga këto privatizime problematike është mbikëqyrja e këtij procesi pas privatizimit. Në Shqipëri ende nuk kemi asnjë histori të mbikëqyrjes së premtimeve për privatizim pas privatizimi apo pas koncesioneve.

Të gjithë ata që kanë privatizuar një pasuri publike apo e kanë marrë atë me koncesion, kanë devijuar nga premtimi ligjor dhe asnjë institucion nuk ka provuar të ruajë ligjshmërinë e këtyre akteve të privatizimit. Kjo jo sepse nuk kanë të drejtë, por me sa duket sepse nuk janë të lirë të veprojnë mbi ata që kanë favorizuar.

(*) Dërguar nga autori

KOMENTE