Tiranë, 15 dhjetor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, ka dalë sot në një deklaratë për shtyp ku theksoi se rritja e energjisë elektrike, është e paralajmëruar më parë nga opozita, ndërsa shtoi se Berisha mashtroi.
"Çmimi i energjisë po rritet duke thelluar krizën ekonomike për çdo familje dhe biznes në Shqipëri. Por, ajo që është më e rëndë është se qeveria shqiptare jo vetëm ishte në dijeni të shtrenjtimit të çmimit të energjisë, por ishte dhe autore  e këtij vendimi.
Ndryshe nga sa pretendon qeveria, vendimi për rritjen e çmimit të energjisë është marrë kohë më parë se të përfundonte procesi i privatizimit të OSSH" tha Beqja.
"Sali Berisha me paturpësinë e saj na ka gënjyer e mashtruar të gjithëve.
Turpi më i madh për këtë qeveri qëndron në faktin se përballë kërkesës për transparencë të  popullit shqiptar dhe opozitës, ministrat e Sali Berishës heshtën duke u justifikuar se rritjen e çmimit e vendos Enti Rregullator i Energjisë.
E vërteta mbi implikimin famëkeq të qeverisë me rritjen e çmimit dhe thellimin e krizës u zbulua dje botërisht nga OSSH.
Sot shqiptarët do të përballen me një tjetër shtrenjtim të kostove të jetesës. Një tjetër faturë e shtrenjtë për çdo shqiptar , dhuratë nga Sali Berisha për vitin e ri. Këto janë pasojat e një qeverie që nuk përfaqëson vullnetin e shumicës dhe që mashtron" përfundoi Beqja.
k.k/NOA