Tiranë, 15 dhjetor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Asllan Dogjani ka dalë sot në një deklaratë për shtyp ku është shprehur se qeveria po hesht për shembjen e tunelit të Kalimashit.
"Në këtë konferencë për shtyp, nuk kam dalë thjesht si një deputetet i Partisë Socialiste, por si një qytetar i zhgënjyer i qarkut të Kukësit.
Jam i zhgënjyer, si mijëra të tjerë, në Kukës, Lezhë, Shkodër, Malësi të Madhe, por edhe në Durrës, Tiranë, Fier e Elbasan.
Jam njësoj i zhgënjyer, si qindra mijëra shqiptarë në Shqipëri e në Kosovë, që sot kërkojnë rrugën e premtuar, madje inauguruar me shumë se një herë nga Sali Berisha, por që fatkeqësisht, nuk e përdorin dot.
Tuneli, që do të bënte të mundur lidhjen e Shqipërisë me Kosovën, sot është i shembur. Bashkë me të, u shembën edhe miliona euro, të paguara nga taksapaguesit shqiptarë. Dhe mbi të gjitha, bashkë me tunelin u shemb një ëndërr - ëndrra e shqiptarëve për të qenë më pranë njëri-tjetrit, në Kosovë e në Shqipëri" tha Dogjani.
Deputeti socialist e ka quajtur pseudo-Kryeministër, Berishën, që sipas tij, bashkë me ministrat e tij, bëjnë sikur nuk e kuptojnë atë çka ndodhi në Kalimash.
"Sali Berisha dhe Sokol Olldashi bëjnë sikur nuk e shohin tunelin e shembur. Pikërisht këta njerëz, që gjatë fushatës elektorale nuk pushonin se foluri për rrugën dhe veçanërisht tunelin, madje arritën deri aty sa ta inauguronin veprën e papërfunduar disa herë, sot heshtin.
Heshtin me turp, pasi nuk dinë ç'të thonë. Heshtin pasi skandali që u ka rënë mbi krye është shumë i madh dhe zgjidhjet, sipas specialistëve mungojnë" tha më tej Dogjani..
Në deklaratën e tij Dogjani theksoi se Sali Berisha dhe Sokol Olldashi, nuk do të mund t'i shpëtojnë përgjegjësive të tyre dhe aq më pak të vërtetës.
k.k/NOA
Â