English

SHBA-të janë gati

Bota jonë është në një rrugë të paqëndrueshme, e cila kërcënon jo vetëm mjedisin, por edhe ekonomitë dhe sigurinë tonë. Ka ardhur koha të nisim një marrëveshje të gjerë ndërkombëtare operacionale për ndryshimin e klimës, e cila do të na vë në kursin e ri

Nga Hilari Klinton*

Transparenca dhe jo vetëm aspirata, është ajo që siguron se marrëveshja e këtillë do të bëhet operacionale. Të gjithë ne duhet të ndajmë përgjegjësinë, të qëndrojmë pas përkushtimeve tona dhe të mendojmë atë që e themi, në mënyrë që marrëveshja ndërkombëtare të jetë e besueshme. Përfaqësues nga më shumë se 190 vende janë tubuar në Kopenhagë me shpresë për t'i dalë zot kësaj sfide urgjente të planetit tonë. Po të jemi seriozë rreth qëllimit, të gjithë ne do t'i përqafojmë këto parime. Nuk është sekret se Shtetet e Bashkuara një kohë të gjatë e mbyllën njërin sy para ndryshimeve klimatike. Por, tash, nën udhëheqjen e presidentit Barak Obama, ne po e marrim përgjegjësinë dhe veprimin. Administrata Obama tashmë ka bërë shumë në vend për ta promovuar energjinë e pastër dhe për ta adresuar ndryshimin e klimës si asnjëherë më parë në historinë tonë. Ne po investojmë më shumë se 80 miliarda dollarë në energjinë e pastër dhe po punojmë me Kongresin për ta avancuar legjislacionin gjithëpërfshirës për klimën dhe energjinë. Ne, gjithashtu, i kemi bërë publike qëllimet tona që deri në vitin 2020 t'i reduktojmë lëshimet e gazrave në 17 për qind nën nivelet e vitit 2005. Në kuadër të synimeve të presidentit, legjislacioni pritet që t'i zgjerojë këto kufizime në 30 për qind deri në vitin 2025, 45 për qind deri në vitin 2030, dhe më shumë se 80 për qind deri në vitin 2050. Pra, nuk duhet të ketë dyshim për përkushtimet tona. Ne kemi ardhur në Kopenhagë të gatshëm të ndërmarrim hapat e nevojshëm për të arritur një marrëveshje të re gjithëpërfshirëse dhe operacionale, e cila do t'i vërë themelet e rritjes së qëndrueshme ekonomike afatgjate. Kjo duhet të përcillet me përpjekje të përbashkëta. Të gjitha ekonomitë e mëdha, të zhvilluara dhe në zhvillim, duhet të ndërmarrin veprime vendimtare dhe transparente për t'i reduktuar lëshimet e gazrave të karbonit. Kuptohet se veprimet e vendeve në zhvillim dhe atyre të zhvilluara nuk do të jenë identike, por të gjithë ne duhet ta bëjmë pjesën tonë. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta përqafojnë këtë rrugë dhe shpresojmë se edhe pjesa tjetër e botës do të tubohet rreth nesh.

(*) International Herald Tribune

KOMENTE