English

Varfëria, sindikatat: Shqiptarët largohen nga puna për kritere politike

Tiranë, 15 dhjetor NOA/UPDATE - Sindikatat e pavarura shqiptare ankohen se punëtorët shqiptarë vuajnë për të gjetur një vend pune, ndërsa një pjesë e madhe kanë dalë të papunë si pasojë e largimeve për kritere politike.

Kryetari i konfederatës së sindikatave të pavarura Kolë Nikollaj theksoi se këto probleme kanë rritur nivelin e varfërisë në mbarë vendin.

"Mungesa e stabilitetit në punësim, largimet apo transferimet nga puna pa motiv, por mbi kritere të pastra politike, ku anëtarësia e KSSH-së është penalizuar ndjeshëm.

Ka ende diskriminim në paga sidomos për të rinjtë e gratë, puna jashtë orarit e shpesh e diktuar nën presion psikologjik apo stres", u shpreh kreu i konfederatës, Kolë Nikollaj.

Sipas një vëzhgimi të sindikatave, siguria në punë mbetet ende një problem i cili vazhdon të prodhojë aksidente në vendin e punës.

"Mungesa e sigurisë në vendin e punës si dhe dëmtimi i ndjeshëm i shëndetit e jetës në punë kanë bërë prezent shumë aksidente në punë, në rrugë e kudo.

Mospagesa e sigurimeve shoqërore e shëndetësore si dhe mospagesa e pensioneve e asistencës sociale brenda kritereve minimalisht të pranueshme e pengojnë zhvillimin e sigurimin e "Punës së Denjë" e për pasojë cënojnë ndjeshëm jo vetëm liritë sindikale tonat por dhe liritë themelore të individëve", tha Nikollaj.

Këto deklarata u bënë gjatë prezantimit të ecurisë së projektit "puna e denjë" e financuar nga Komisioni evropian.

Projekti ka nisur dy vjet më parë dhe mbaron në maj të vitit të ardhshëm.

Sindikatat i kërkojnë qeverisë të ketë një interesim më të madh veçanërisht në kontrollin e territorit me qëllim që të sigurohen standardet e punës.

b.m/NOA

KOMENTE