English

Ajo që presim nga viti 2010

Viti 2010 do të jetë viti kur qytetarët shqiptarë, të gjithë përveç atyre që jetojnë brenda oborrit të Familjes në Pushtet apo kanë lidhje me të, do të paguajnë pikërisht faturën e papërballueshme të politikës së gënjeshtrave, të borxheve pa logjikë, të shpenzimeve pafre, të lënies së vendit symbyllur drejt të tatëpjetës së një krize që sapo ka filluar

Nga Edi Rama* (Foto: Rama sot në mbledhjen socialiste NOA/LSA)

Kryetar i PS

Këshillit Ekonomik Kombëtar të Partisë Socialiste është një strukturë e domosdoshme në kushtet e sotme, kur programi ynë qeverisës, modeli i zhvillimit ekonomik të vendit që u propozuam shqiptarëve në 28 qershor, provohet dita - ditës të jetë alternativa e duhur për Shqipërinë dhe kur, nga ana tjetër, alternativa e atyre që sot qeverisin pa u votuar, po provohet dita - ditës si rruga drejt greminës për vendin e për ekonominë e tij.

Ky këshill, që do të mbledhë në përbërjen e tij ekonomistët e grupit tonë parlamentar dhe jo vetëm, të tjerë deputetë dhe kontribuues me eksperiencë nga kjo asamble e nga shoqëria civile, do të mbështetet prej një ekipi teknicienësh të rinj, të cilët do të punojnë pranë nesh për përditësimin e të dhënave, shifrave e fakteve në funksion të detyrimeve të Këshillit Ekonomik Kombëtar të Partisë Socialiste.

Viti 2010 do të jetë viti i shpërfaqjes së plotë të krizës ekonomike që ne e kemi paralajmëruar prej kohësh dhe, edhe me më shumë këmbëngulje, në muajt e parë të 2009-ës. Por, fatkeqësisht, as kambana jonë dhe as kambana e Fondit Monetar Ndërkombëtar, nuk u dëgjuan nga Sali Berisha. I cili jo vetëm e fshehu fillimin e krizës duke ia faturuar këtë kosto të shtuar si gjithmonë qytetarëve shqiptarë, por bëri ekzaktësisht të kundërtën e asaj që do të bënte çdo kryeministër i përgjegjshëm për detyrën e tij karshi popullit të vet.

Sali Berisha i shtoi dramatikisht pasojat e krizës duke thelluar borxhet në mënyrë të paarsyeshme, duke bërë shpenzime të shfrenuara para e gjatë fushatës elektorale dhe duke e lënë vendin në rënie të lirë, pa marrë absolutisht asnjë masë antikrizë.

Viti 2010 do të jetë viti kur qytetarët shqiptarë, të gjithë përveç atyre që jetojnë brenda oborrit të Familjes në Pushtet apo kanë lidhje me të, do të paguajnë pikërisht faturën e papërballueshme të politikës së gënjeshtrave, të borxheve pa logjikë, të shpenzimeve pafre, të lënies së vendit symbyllur drejt të tatëpjetës së një krize që sapo ka filluar.

Viti 2010 do të jetë viti i rizgjimit të njerëzve nga dhimbjet e një krize ekonomike që në fakt është projektuar me kohë, bashkë me modelin dritëshkurtër të rritjes ekonomike pa punësim, pa prodhim, pa zhvillim të qëndrueshëm, pa arsim e përparim teknologjik, pa import të kapitaleve investuese dhe as eksport të qenësishëm të mallrave e të shërbimeve.

Viti 2010 do të jetë viti i rikthimit mbrapsht, në të shkuarën, ndërkohë që vite të tjera kanë kaluar pa rritur dot qëndrueshmërinë e themeleve të një sistemi politik dhe ekonomik, të cilin etja për pushtet të pakontestueshëm e për para të madhe përmes korruptimit të pushtetit, e ka risjellë në kushtet e ezaurimit të fuqive.

Praktikisht ka mbaruar një tjetër cikël i sforcuar rritjeje reale e shifrash të manipuluara brenda kufijve të një modeli ekonomik të ndërtuar gabim.

Dhe ka filluar një rënie agresive ekonomike, që me ndihmën e Zotit, mos qoftë me tramundanë të madhe për vendin e sfilitur shumë në të tëra drejtimet edhe pa filluar viti i ri i krizës më të rëndë të ekonomisë pas vitit 1997.

Por, viti që po vjen do të jetë në të gjitha rastet periudha e një rizgjimi të dhimbshëm për shqiptarët, jo vetëm për të varfrit, të papunët e pensionistët, por edhe për sipërmarrësit e vegjël, të mesëm e madje për të gjithë të mëdhenjtë që nuk hyjnë në grushtin e klientëve të Pushtetit të Familjes.

Ka rënë modeli ekonomik i këtyre viteve shpenzimesh pa asnjë vizion integral, investimesh pa asnjë logjikë ekonomike e koherencë logjike, arnimesh të paqëndrueshme fiskale që asnjëherë nuk e bënë të qëndrueshëm terrenin e sipërmarrjes së lirë, kapjeje të ekonomisë nga klientela monopoliste dhe rendjeje pas uljes së taksave e ngritjes së përqindjes së rritjes si në një vrapim të marrë drejt murit ku, në fakt, po përplaset tanimë e shteruar forcash ekonomia shqiptare.

E cila është e atrofizuar nga mungesa e konkurrencës së lirë që është oksigjeni i një ekonomie tregu, nga mungesa e tregut dhe e importit të kapitaleve investuese, pa të cilat s'ka minimalisht as prodhim e as punësim, nga mungesa e kushtetutshmërisë mbi pronën, nga mungesa e një administrate publike në shërbim të qytetarit e të sipërmarrjes së lirë, mungesa e një sistemi drejtësie të pavarur, mungesa e një sistemi arsimor që kualifikon fuqinë punëtore të vendit e plot mungesa të tjera, ku padyshim edhe mungesa e një politike të çliruar nga mendësia komuniste në marrëdhëniet me kundërshtarin në opozitë, ka një efekt destabilizues për ekonominë.

Viti 2009 po mbyllet pas disa muajsh të fundit me 0% rritje dhe së fundmi me shifër negative nën 0%, ndërkohë që leku ka njohur zhvlerësimin më të madh pas më shumë se dhjetë vitesh, duke vepruar si një taksë e fshehtë mbi çdo qytetar që shpenzon.

Ky zhvlerësim i lekut do të vazhdojë edhe në vitin 2010, kur shqiptarët do të ballafaqohen drejtpërdrejt me një rritje të mëtejshme të kostos së jetesës, në faturën e energjisë, në faturën e ushqimeve, në faturën e vizitave shëndetësore e të ilaçeve, në faturën e arsimimit të fëmijëve.

Vetëm nga rritja e çmimeve të ushqimit gjatë pjesës së dytë të vitit 2009 dhe të energjisë dje, pensionistëve u është zeruar shtesa e pensionit për vitin 2009.

800 mijë shqiptarëve të pasiguruar për shkak se nuk janë në marrëdhënie pune, do t'u duhet të paguajnë sa herë të trokasin tek mjeku i familjes 10 mijë lek. Tek mjeku specialist i Poliklinikës 15 mijë lek. Sa herë të kapërcejnë pragun e spitalit rajonal për një vizitë 20 mijë lek. Sa herë të shkojnë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës 30 mijë lek. Gjithë gjithë katër pesë herë më shumë se deri dy muaj më parë.

Sali Berisha premtoi se të paktën për nënat me barrëlindje do të hiqte tarifën e pakuptimtë të vizitave shëndetësore. Por në fakt e ka shtuar, duke shtuar numrin e nënave shtatzënë që nuk do të shohin dot më gjendjen e bebes në bark për shkak të varfërisë. 10 mijë lek janë një shifër e papërballueshme, jo vetëm për një grua të re të papunë në një familje që jeton me ndihmë ekonomike. Por edhe për shumë gra të tjera pa sigurime shëndetësore në këtë vend. E njëjta gjë për librat e shkollës. Në fillim të shtatorit më erdhi në zyrë vajza e një polici të vrarë. Nxënëse me të gjitha dhjeta e kryeqytetit dhe përfituese në disa vite e bursës së Bashkisë së Tiranës për nxënësit e shkëlqyer. Kishte fituar mjekësinë dhe rroga e të ëmës nuk mjaftonte për të blerë edhe librat e shkollës. Po sa janë fëmijët e tjerë që këtë vit kanë rrëshqitur në humnerën e analfabetizmit për shkak se prindërit nuk u blejnë dot librat e shkollës? Askush nuk e di në këtë vend ku të vërtetat e qeverisjes fshihen, faktet trukohen, shifrat manipulohen, por dihet botërisht që analfabetizmi dyshifror në Shqipëri rritet çdo vit duke u bërë një fenomen përvit e më i paperceptueshëm për realitetin e Europës ku duam të integrohemi.

Viti 2009 ka shtuar alarmin e disavitshëm tashmë të bilancit të pagesave.

Deficiti i llogarisë korrente është dyfishuar në harkun e dy-tre viteve. Ndërkohë, deficiti i tregtisë në mallra ka shkuar në rreth 30% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Për herë të parë në dhjetëvjeçarin e fundit vlera e importeve rezultoi me një rënie vjetore 8% dhe ajo e eksporteve me një rënie vjetore 21%. Rënia e hyrjeve të valutës si një prirje e qëndrueshme paralajmëron kohë të zymta pas Vitit të Ri, sidomos për mbi gjysmën e familjeve te varfra, në fshat a në qytet, që kanë si mbështetje jetike bazë dërgesat e emigranteve, të cilat gjatë vitit 2009 kanë shënuar rënie sistematike.

Ç'do të ndodhë me këto familje?

Ç'do të ndodhë në fshatin e braktisur në mëshirën e fatit të vet ku s'ka asnjë projekt serioz zhvillimi, ku toka s'është ende e regjistruar dhe më të shumtit s'kanë ende certifikatë pronësie, ku s'bëhet fjalë për treg të tokës dhe ku çdo truall bujqësor pranë vijës bregdetare a pranë rrugëve të komunikimit transformohet barbarisht, pa asnjë vizion e plan, rëndom me korrupsion, në truall ndërtimi, kuturu, beton, tulla e llac aty ku duhet të mbillet fara e një zhvillimi të qëndrueshëm rural, turistik e mjedisor dhe ku, në fakt, kështu si po katandiset me shpejtësi, s'ka shans të vijë më këmbë turisti?

Ç'do të ndodhë me bujqit e fermerët dy të tretat e të cilëve, sipas vetë ministrit të bujqësisë, nuk nxjerrin dot prodhimin e tyre në treg?

Pyetje rrëqethëse, që viti 2010 padyshim s'do t'u japë dot tjetër përgjigje veç margjinalizimit e dëshpërimit të mëtejshëm ekonomik e social të fshatit shqiptar. Me kosto të rritura për familjet në fshat e për vetë qytetin.

Në këtë panoramë rrugësh të mbyllura për vitin 2010, biznesi dhe bankat do të ballafaqohen më tutje me mungesën e shfaqur seriozisht të likuiditetit.

Ritmet e kreditimit kanë rënë në zero. Fitimi i bankave është përkeqësuar dukshëm.

Kreditë e këqija janë dy dhe trefishuar. Rënia e të ardhurave buxhetore e ka detyruar qeverinë të reduktojë ndjeshëm shpenzimet buxhetore.

Kjo ka sjellë mosfinancim të projekteve për kontratat e nënshkruara, zhytje në borxhe të kompanive të kontraktuara nga qeveria dhe shkurtime vendesh pune prej tyre, ndërkohë që së fundmi është hapur edhe një debat i mjerë brenda qeverisë për rrogat e shpërblimet e fundvitit.

Qeveria s'ka lekë të përmbushë detyrimet e saj karshi rrogëtarëve që mezi e kanë pritur fundvitin,ndërkohë Sali Berisha luan teatrin banal të bamirësit që medemek urdhëron ministrin e tij të financave. Njësoj si jo shumë kohë më parë, kur u betohej shqiptarëve se sa të kishin Sali Berishën s'do t'u rritej çmimi i energjisë, ndërkohë që fshehur në sirtar mbante të firmosur kontratën për rritjen e çmimit sapo t'u merrte njerëzve votat me gënjeshtrat e tij.

Një vit që mbyllet në krizë dhe një vit që hapet me krizë.

Një nga sirenat më shqetësuese të alarmit vjen nga Banka Botërore, e cila raporton se rreth 40% e pensionistëve në të ardhmen mund të rrezikojnë të humbasin pensionet nëse qeveria do të vijojë, ashtu si deri tani, të mos e reformojë skemën aktuale.Â

Po sipas Bankës Botërore, numrit të familjeve të varfra i janë shtuar së fundmi edhe 30.000 familje të tjera, të cilat duke rënë nën nivelin e varfërisë duhen trajtuar me ndihmë ekonomike. Por qeveria vazhdon të manovrojë në mënyrën më cinike dhe të papërgjegjshme për t'i bishtnuar kësaj të vërtete, duke fshehur shifrat reale dhe të detajuara, madje duke mospublikuar hiç fare as të dhënat e Anketës për Matjen e Nivelit të Jetesës apo të Anketave të Forcës së Punës.

Për të cilat janë shpenzuar qindramijëra euro nga buxheti i shtetit dhe donatorët e asistenca e huaj. Varrosja e këtyre shifrave në kompjuterët INSTAT-it, që ndizen e komandohen vetëm nga zyra e kryeministrit është një pjesë e rëndësishme brenda tragjikomedisë që luan Sali Berisha me të dhënat e ekonomisë së vendit.

Duke fshehur varfërinë, duke manipuluar shifrat e deformuar të faktet, qeveria po shkurton ndihmën ekonomike edhe për ata që janë të regjistruar brenda skemës së financimit. Ndërkohë në shumë zona të vendit invalidët nuk e marrin prej muajsh as lëmoshën e caktuar për ta në buxhet. Ashtu siç nuk paguhen prej dy muajsh mësuesit me kontrata, skllevërit e dispozicionit, të cilët heshtin nga frika se e humbasin edhe shpresën që kanë për t'u punësuar një ditë me orë të plota.

Në këtë batërdi që po fut ujë në varkën e lodhur të ekonomisë së familjes shqiptare, pasurohet përditë Pushteti i një Familjeje dhe oborri i shërbëtorëve e klientëve të Familjes në Pushtet. Kjo nuk është një krizë ekonomike e ngjashme me krizën financiare globale dhe s'ka asgjë të përbashkët me krizën e sistemit të kapitalizmit ndërkombëtar. I cili përballet me sfidën titanike të një reforme të re të tregjeve financiare në kushtet e mbylljes së një cikli zhvillimi që ka nxjerrë në pah një sërë dobësish marramendëse të organizmit të sistemit.

Kriza shqiptare e ekonomisë është kriza e një kapitalizmi pa demokraci, pa institucione, pa konkurrencë të lirë e të ndershme, pa sistem që vlerëson meritën dhe talentin e individit, në kushtet e një kapitalizmi farefisnor, klientelist, barbar, që shfrytëzon egërsisht të gjitha burimet e mundshme të fitimit, duke e drobitur vendin dhe ekonominë e tij e duke fuqizuar ekonomikisht një pushtet që prodhon para për veten e përmes parasë riprodhon vetveten.

Kriza jonë është kriza e qeverisjes së kthyer në regjim dhe e informacionit të deformuar për publikun e për komunitetin ndërkombëtar, përmes një Instituti Statistikash që manipulon të vërtetën njësoj si Televizioni Publik Shqiptar, por për shkak të detyrës që ka ky lloj manipulimi përbën një kanosje për stabilitetin e ekonomisë e të financave vendit. Të cilat kanë mbetur pa kontroll e as monitorim të qenësishëm, në duart e një të papërgjegjshmi si Sali Berisha, që e fluturoi njëherë në greminë ekonominë e këtij vendi, dhe të një shërbëtori të Saliut të Dytë, ministër financash sot njësoj si në kohën e piramidave të Saliut të Parë. Buxheti i Vitit 2010 është shëmbëlltyra tipike e mosdëgjimit të asnjë kambane alarmi, e mosreflektimit ndaj asnjë simptome të krizës së shfaqur qartësisht, e mosshikimit të së tatëpjetës ku ka filluar rrokullimën ekonomia e vendit.

Saliu i Dytë dhe ministri i tij i dikurshëm i piramidave e kanë mbështetur Buxhetin e Vitit 2010, kuturu, në një rritje ekonomike prej lajmesh të Televizionit Publik Shqiptar me 6.5%, duke bërë në fakt një kërcim aventuresk mbi të tatëpjetë që kërcënon realisht stabilitetin makroekonomik të vendit dhe vetë procesin integrues të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Në këto kushte papërgjegjshmërie absolute, reagimi negativ i ekonomisë gjatë vitit 2010 në boshllëkun e plotë të masave kundër krizës nga ana e qeverisë, rrezikon të jetë shpartallues për shumicën dërrmuese të familjeve e të bizneseve.

Sot Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste është e ftuar të miratojë një rezolutë që adreson problematikën e krizës ekonomike dhe apelon për një sërë masash drastike të menjëhershme, të cilat mund t'i rivizatojnë kufijtë e veprimit dhe rimodelojnë tërësinë e elementëve që lidhen direkt ose indirekt me fatin e ekonomisë gjatë vitit 2010 e më tutje.

Personalisht s'kam shpresë se në qeverinë e sotme të Shqipërisë ka veshë për zërin e fortë të arsyes kombëtare e qytetare në kushtet e një krize të gatuar për arsye deri personale e familjare.

Përkundrazi, sa më lart ngrihet zëri i arsyes nga ana jonë, aq më shumë i flitet publikut për arsyen e forcës nga ana Sali Berishës dhe pastaj në kor nga qepazet e oborrit të tij.

Por është e sigurt, për fat të keq, se duke mos dashur të dëgjojë ata që e kundërshtojnë me të drejtë, Sali Berisha po kundërshton padrejtësisht logjikën e funksionimit të një demokracie që, sado e brishtë dhe e deformuar të jetë, nuk mund të kontrollohet siç kontrollohet kazerma e Partisë Demokratike.

Madje sa më shumë të rreket ta kontrollojë forcërisht situatën, që në të vërtetë i ka dalë duarsh qyshse vendosi të mbajë mbyllur kutitë e votimit, aq më shpejt Sali Berisha do ta humbasë kontrollin tërësor mbi të duke e futur vendin në një spirale që askush nga ne nuk e uron.

Dhe, për më tepër pastaj, ky pushtet që kalbet çdo ditë me shpejtësinë e një muaji nuk ka sesi kontrollon me pahir forcën destruktive të krizës ekonomike, e cila sa më shumë të bësh sikur se shikon aq më keq të qorron, sa më shumë të bësh sikur se dëgjon aq më keq të verbon, sa më shumë të bësh për ta fshehur aq më e madhe të shfaqet përpara.

Për Sali Berishën ka filluar përballja me faturën e një qeverisjeje të mbrapshtë, të deformuar thelbësisht prej peshës së korrupsionit dhe nevojës për t'u kthyer në regjim, me qëllim vazhdimësinë me çdo kusht, të pushtetit e mbulimin, me çdo mjet, të një korrupsioni që, njësoj si kriza, nuk mbulohet dot më sepse është kthyer në sistem dhe Shqipëria mbarë e ka marrë vesh se në qendër të këtij sistemi qëndron vetë ai, Sali Berisha.

Është Sali Berisha, drejtpërdrejt, që ka pjesën e tij në faturën e Gërdecit dhe heshtja e prokurorisë, e zgjedhur apo e imponuar nga presioni i pushtetit, mund të ketë zgjidhur për një kohë të pacaktuar problemin e Sali Berishës me drejtësinë, po nuk ka zgjidhur as problemin e Saliut me pasqyrën e tij dhe as problemin e besimit të njerëzve tek qeveria e tek vendi i tyre. Kujt i duket e dyta pa lidhje jo vetëm me krizën e demokracisë, po edhe me shëndetin e keq të ekonomisë së vendit, gabon.

Është po ashtu Sali Berisha, drejtpërdrejt, që ka pjesën e tij në faturën e shembjes së tunelit të Kalimashit dhe në kthimin e rrugës Durrës - Kukës nga një projekt i madh strategjik kombëtar, në një rrugë të korrupsionit shtazarak me paratë e popullit vjedhur e mbështjellë me flamurin kuqezi dhe në një gropë thithëse për ekonominë, ku shuma e tretur së fundmi edhe nga shembja i shtohet gjëegjëzës së shifrës fundore të financimit të asaj vepre, që ende askush nuk e di sa do të kushtojë deri sa të mbyllet.

A nuk ju duket se shtesa prej katër vjetësh që i bëri së fundmi mandateve të tij, të parashikuara deri vonë publikisht gjer në vitin 2021, ngjan si shprehja e pavetëdijshme e një dëshire të Sali Berishës për t'u ndarë nga kjo botë i ulur në karrigen e kryeministrit dhe jo në atë të të pandehurit, në mes të Lulit e të Kolit, për një abuzim që pa asnjë dyshim është më i turpshmi në historinë e tranzicionit shqiptar?

Është përsëri Sali Berisha, drejtpërdrejt, që ka pjesën e tij në shumëçka tjetër lidhet me faturën e abuzimeve të këtij pushteti me pasuri publike e prona publike e private, të cilat padyshim e rrënojnë moralin e një qeverie që duhet të përballet me një krizë ekonomike, e cila me plot gojën mund të quhet kriza e imoralitetit të saj.

Në këtë përballje të shumëfishtë Sali Berisha ka zgjedhur qasjen më të gabuar për veten, por pa kurrfarë dyshimi edhe më të keqen për vendin.

I bëj apel të rizgjedhë sa nuk është vonë për të gjithë. Në vend se ta qetësojë klimën e biznesit ai ka zgjedhur ta acarojë atë krejt artificialisht. Sepse primitiv e i paaftë për t'i lidhur gjërat me njëra-tjetrën, Sali Berisha nuk arrin ta kuptojë se beteja e tij kundër opozitës, që kërkon thjesht transparencën e kutive të votimit, është një betejë kundër vetvetes, aq më tepër duke u zhvilluar me hakërrima darësh e flakërima ruspash për ta frikësuar e zmbrapsur opozitën, por në fakt duke trembur ligsht kapitalin e tkurrur ekonominë.

Ne i sugjerojmë të zgjedhë qetësimin e klimës së biznesit, të rivendosë sa s'është shume vonë dialogun me komunitetin e biznesit, për ta bërë atë pjesë integrale të përballimit të krizës, duke mos e lënë më tutje vetëm përballë krizës.

Të debatojë me sipërmarrësit për të hartuar dhe implementuar në sintoni e bashkëpunim me ta, një politikë të rishikuar fiskale, për ta kthyer biznesin në partner në formalizimin e ekonomisë dhe krijimin e një ekonomie tregu funksionale, përpara sesa pasojat e armiqësisë ndaj sipërmarrjes ti paguajë deri në fund vetë ekonomia e konsumatori. Ti japë fund veprimeve antikushtetuese e antiligjore dhe ndërhyrjeve brutale në ligj, që cenojnë jo thjesht autonominë dhe funksionimin e njësive të qeverisjes vendore, por vetë ekonomitë vendore e më gjerë ekonominë kombëtare.

Shembulli i vendeve demokratike në përballimin e krizës flet për zgjerim të paketës mbështetëse për pushtetin vendor, jo për tërbim antidemokratik ndaj këtij pushteti. Të cilin Sali Berisha po e kthen forcërisht nga një partner potencial në përballimin e krizës ekonomike, në një kundërshtar të detyruar të përshkallëzojë protestën e tij për shkak të thellimit të krizës demokratike dhe ekonomike.

Ne i sugjerojmë Sali Berishës të bëjë distancimin e pushtetit nga monopolet, që çdo ditë e më shumë po e fusin ekonominë shqiptare në rrugën e tkurrjes. Prania e tyre në çdo sektorë të ekonomisë, me interesimin e mbështetjen të drejtpërdrejtë të Pushtetit të Familjes, duhet të marrë fund para sesa monopolet të fundosin ekonominë.

Modestisht dhe në respekt të autonomisë së saj, i kemi sugjeruar Bankës së Shqipërisë të vlerësojnë mundësitë për një ulje të shpejtë të normës së interesit.

Të vlerësojmë po ashtu mundësi të tjera për politika që lehtësojnë ç'ngrirjen e likuiditetit. Banka e Shqipërisë, në mendim tonë, nëpërmjet politikave të saj dhe bashkëpunimit me qeverinë e me ndërkombëtarët duhet të gjejë rrugë për të mbështetur monedhën vendase duke parandaluar vazhdimin e rënies drastike e vlerës së lekut.

Çdo vonesë në rishikimin e marrëdhënieve me Fondin Monetar Ndërkombëtar, për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re, të posaçme me të, ku të kërkohet mbështetje financiare për të përballuar krizën, mund të rezultojë fatale.

Vizioni ynë për daljen nga kriza shkon në fakt larg, aq larg sa është e pamundur të shkojë jo mendimi, po edhe imagjinata e Sali Berishës, për të cilin rikthimi i besimit tek administrata publike duke e zhveshur nga interesat e pushtetit dhe veshur me uniformën ligjore të shërbimit civil, me siguri tingëllon si apel i papranueshëm për të ndryshuar fenë.

Por ama s'ka dyshim se, për sa kohë një njeri që i thotë vetes Skënderbe dhe që për të ndenjur kryeministër ka marrë peng kutitë e zgjedhjeve, nuk mund ta parafytyrojë dot heqjen dorë nga ushtria e mitingjeve që tanimë e paguan me rrogë shteti, e hipën në autobus e në tren me detyrim shtetëror, e mbledh në sheshin e Skënderbeut për të protestuar kundër opozitës, për aq kohë është e sigurt se Shqipëria s'ka shans të ketë shtet të të gjithëve dhe të fillojë të ndërtojë një ekonomi të qëndrueshme jashtë oborrit të një pushteti familjarësh, shërbëtorësh e klientësh të këtij njeriu.

Ekonomia shqiptare kërkon një model të ri zhvillimi.

Shqipëria nuk mund ta mbështes më tutje zhvillimin e ekonomisë në faktorët e deritanishëm, ku dominojnë dërgesat e emigrantëve, informaliteti, mungesa e prodhimit dhe tulla e llaçi.

Dërgesat e emigrantëve kanë rënë dhe do të bien akoma më shumë në të ardhmen, jo vetëm për shkak të krizës së viti të ardhshëm, por edhe të rrjedhës natyrale te gjërave.

Ekonomia informale do të shkojë drejt mpakjes si kusht themelor i procesit integrues.

Të ardhurat si donacione nga institucionet dhe donatorët po shkojnë drejt shuarjes.

 Të ardhurat nga doganat në kushtet e integrimit do të bien.

Ndërtimi do të bjer po ashtu.

Të ardhurat nga privatizimet po shterojnë.

Depozitat bankare janë tkurrur.

Borxhi i jashtëm është rritur shumë dhe duhet paguar.

E kemi thënë qartësisht përpara 28 Qershorit, dhe e nënvizojmë me forcë sot, nevojën e kalimit të ekonomisë në modelin e zhvillimit të qëndrueshëm, në një ekonomi me shpirt konkurrence që mund të importojë kapital investimesh për hapje të vendeve të reja të punës, që mund të përballojë hapjen me ekonomitë e rajonit dhe ato të vendeve anëtare të BE, e aftë të përfitojë nga zhvillimi global, e pavarur nga trafiqet e informaliteti.

Modeli i zhvillimit që i duhet Shqipërisë duhet të ketë në bazën e vetë arsimin, teknologjinë e progresin social të mbështetur nga një industri, bujqësi dhe shërbime në transformim, që do të sigurojnë rritjen e qëndrueshme të ekonomisë dhe të të ardhurave për frymë.

Ne na duhet një ekonomi funksionale tregu. Një ekonomi e orientuar nga eksporti i mallrave e shërbimeve dhe jo e mbështetur në eksportin e fuqisë punëtore të pakualifikuar.

Një ekonomi që mbështet në kursimet e siguruara nga zhvillimi i brendshëm ekonomik dhe nga formalizimi i ekonomisë. Një ekonomi që krijon klimë favorizuese për biznesin, veçanërisht biznesin prodhues.

Një ekonomi ku zhvillimi mbështet në hartimin e zbatimin e kujdesshëm afatgjatë të politikave makroekonomike, ku ambicia për standarde europiane të sundojë si prioritet i të menduarit qeverisës dhe axhenda europiane të jetë në radhë të parë mendësi qeverisëse. Por ky model nuk mund të jetë modeli i Sali Berishës dhe i Pushtetit të Familjes që, për interesat e saj, të shërbëtorëve e të klientëve të saj, e ka futur kryeministrin e këtij vendi në një konflikt interesi me qeverinë e vendit të tij.

Ky është pushteti pa të ardhme i biznesmenit Sali Berisha, ne jemi partia e të ardhmes së çdo shqiptari që merret me biznes, të vogël, të mesëm, të madh, që punëson veten, familjen apo të tjerë shqiptarë që duan të jetojnë me punë të ndershme.

Modeli ynë është ekonomia e re e së nesërmes, që ne do të fillojmë ta ndërtojmë sapo shqiptarët të mandatojnë PS dhe aleatët e saj për të qeverisur.

Ndërsa mes të sotmes e së nesërmes qëndron kriza ekonomike e vendit, e cila ka rënduar thesin e problemeve të vjetra dhe pasigurive të vjetra që do të sjellë në 1 Janar Viti i Ri 2010.

Ne i kishim parashikuar këto orë të vështira për vendin e për njerëzit e këtij vendi, por se kishim menduar se në këto orë do të ishim në opozitë, të grabitur në votat tona dhe të palejuar të hapim kutitë ku mbahet e mbyllur me pahir vota e popullit sovran.

Më 28 Qershor populli ka votuar largimin dhe jo sundimin e Sali Berishës, ndërsa sot gjendet përballë krizës i pambrojtur sepse, në pushtet është shkaktari i saj.

 Ne jemi në krahë të popullit dhe në emër të çdo qytetari, të prekur sot apo që do të preket padyshim nesër nga kriza, do të ngremë zërin përditë.

Përditë e më lartë.

Do të protestojmë.

Përditë e më me forcë.

Duke kërkuar hapjen e kutive të 28 Qershorit ose largimin e Sali Berishës.

Sepse, në fund të fundit, në ato kuti është marrë peng bashkë me votën tonë edhe rrugëdalja nga kjo krizë e paralajmëruar përpara zgjedhjeve të grabitura.

Kjo krizë nuk mund të na ndahet pa u rivënë në lëvizje funksionet jetike të demokracisë dhe pa i ridhënë frymëmarrje shtetit të së drejtës.

Shkurt kjo krizë nuk mund të mbarojë pa larguar Sali Berishën nga detyra që shpërdoron prej kohësh duke u faturuar padrejtësisht shqiptarëve çmimin e papërballueshëm të Viti të Ri 2010.

(*) Fjala e mbajtur në Asamblenë Kombëtare të PS

KOMENTE