English

Ambasadori i KE, Lohan: Ngërçi politik të zgjidhet në fillim të 2010, debati në Kuvend

FOTO

Tiranë, 16 dhjetor, NOA - Ecuria drejt BE kërkon reforma të mëtejshme dhe të vështira që duhet të bëhen në konsensusin më të thellë të mundshëm mes forcave politike në Shqipëri.

Ky ka qenë mesazhi i lëshuar nga kreu i delegacionit të Komisionit Evropian, Helmut Lohan gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin Berisha me rastin e dorëzimit të Pyetësorit të BE për integrimin.

"Vendi për debatin politik është brenda në parlament, e theksojmë edhe një herë këtë fakt. E për ta thënë atë me deklaratën e nxjerrë nga Bashkimi Evropian, u bëjmë thirrje të gjitha forcave politike në vend që të zhvillojnë një debat konstruktiv në parlament", tha ai lidhur me një fakt të tillë.

Lohan uroi publikisht që ngërçi politik i krijuar të kalohet para ose në fillim të vitit të ardhshëm në mënyrë që Shqipëria të ecë para ashtu siç dëshirojnë të gjithë shqiptarët drejt procesit të integrimit.

"Theksoj rëndësinë tepër të madhe të atyre që në Pyetësor quhen kritere politike, apo institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës, respektin për pakicat dhe minoritetet", tha ai më pas në lidhje me mënyrën e përgjigjes së pyetjeve nga pala shqiptare të dokumentit të Pyetësorit të BE.

Sipas tij, Komisioni Evropian do t'i analizojë përgjigjet e dhëna me kujdesin më të madh dhe do të përpiqet të analizojë ecurinë që është bërë në këta sektorë dhe bëhet fjalë për ato aspekte që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

n.e/NOA

KOMENTE