English

Berisha: Ministria e Financave siguroi fondin e shpërblimeve për pensionistët

Tiranë, 16 dhjetor NOA - Kryeministri, Sali Berisha bëri të ditur sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se qeveria do të mundësojë shpërblimet e fundvitit për pensionistët dhe punonjësit e institucioneve buxhetore.

"Ndryshe nga titujt me germa kapitale, me të cilat janë hapur disa të përditshme sot, qeveria qëndron dhe do t'u dërgojë pensionistëve shqiptarë, si dhe punonjësve të administratës kartolinën e viti të ri" tha Berisha.

Kryeministri u shpreh se pavarësisht disa vështirësive, të cilat nuk mund të shpërfillen si kriza nga njëra anë dhe rritja e parakohshme e rrogave, Ministria e Financave pas një shqyrtimi të kujdesshëm të burimeve ia ka dalë të sigurojë një fond prej 15 milion dollarësh, nga i cili do të bëhet i mundur shpërblimi prej 25 mijë lekësh për pensionistët, që do të shpërndahet brenda këtyre ditëve.

"Nuk mund të injorohen vështirësitë e krijuara nga kriza nga njëra anë dhe nga fakti tjetër se për shkak të zgjedhjeve në mënyrë që të mos mund të lidhej rritja e rrogave dhe pensioneve me votën, ne u detyruam kësaj radhe të avanconim dy muaj para, rritjen e rrogave dhe pensioneve. Pra normalisht rritja bëhet një herë në vit dhe i takonte që të fillonte në një korrik. Këtë vit për të ruajtur etikën në raportin e pagave me zgjedhjet ne u detyruam ti japim dy muaj para" deklaroi më tej Berisha.

k.k/NOA

KOMENTE