Hagë, 16 dhjetor, NOA - Gjykata e të Drejtave të Njeriut do të marrë në gjykim së shpejti vendimin e kontestuar të Zvicrës për ndalimin e ndërtimit të minareve në territorin e saj sipas rezultatit më të fundit të një referendumi të mbajtur në këtë vend.
Kjo është bërë e ditur nga ish-zëdhënësi i xhamisë në Gjenevë, Hafid Ouardiri, i cili ka ka paraqitur një ankesë në gjykatën në Strasburg lidhur me këtë fakt.
Sipas tij, ndalimi i minareve është i papajtueshëm me konventën evropiane për të drejtat e njeriut.
Tashmë në Zvicër ekzistojnë 4 minare të ndërtuara, ndërsa kanë qenë rreth 58 % e votuesve të cilët mbështetën nismën e udhëhequr nga Partia Nacionaliste zvicerane e Popullit, për të kundërshtuar ngritjen e mëtejshme të tyre, me argumentin se janë simbol i pushtetit politik islamik.
Nga ana tjetër, në shumë qytete të Zvicrës disa mijëra njerëz kanë demonstruar kundër ndalimit të ndërtimit të minareve pas rezultatit të referendumit që e kundërshtonte një akt të tillë.
Por shumë myslimanë kanë shprehur shqetësimin se një masë e tillë mund të përhapej në të gjithë Evropën, duke përfshirë Francën fqinje, e cila ka rreth pesë milion myslimanë, komunitetin më të madh islamik të Evropës perëndimore. E ky dyshim rezultoi i pranishëm në Hollandë, ku disa parti kërkuan që kjo masë të merrej edhe atje.
n.e/NOA
Â
Â