English

"Ditët e albanologjisë", Topalli viziton ekspozitën e thesareve të antikitetit shqiptar

Tiranë, 16 dhjetor NOA - "Ditët e albanologjisë", si një kurorëzim i studimeve kërkimore e shkencore të Qendrës së Studimeve Arkeogjike sollën në mjediset e kësaj qendre një ekspozitë të thesareve të antikitetit dhe kulturës shqiptare.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli së bashku me autoritete të arkeologjisë, akademikë e përfaqësues të trupit diplomatik vizituan këtë ekspozitë të veçantë të vëzhgimeve arkeologjike që nxjerrin në dritë fakte të qytetërimit shqiptar në shekuj.

Kryetarja e Kuvendit vizitoi me radhë pavijonet e periudhave historike, duke vlerësuar hulumtimin dhe promovimin e gjurmëve historike, të trashëgimisë materiale e shpirtërore të kulturës së lashtë e të re shqiptare, si një ndër dëshmitë më të qenësishme të identitetit shqiptar.

Shtresimet e antikitetit shqiptar paraqitur në stendat e ekspozitës përmes zbulimeve të shumta arkeologjike, objekte, qeramika, terrakota, apo zbukurime që u përkisnin fiseve ilire, paraardhësve të drejtpërdrejt të shqiptarëve, shoqëruar edhe me ekspozimin e veshjeve tradicionale të krahinave të ndryshme të Shqipërisë, risollën në vëmendje përmes kësaj ekspozite, traditën, historinë dhe kulturën e lashtë unike shqiptare.

KOMENTE