Tiranë, 16 dhjetor NOA - Cilësia e shërbimit ndaj pacientit dhe reduktimi i pagesave informale janë dy indikatorët e vlerësimit që futen për herë të parë nga IKSSH në kontratat e reja me 39 spitalet e vendit.
Sipas drejtoreshës së ISKSH, Elvana Hana, para bluzave të bardha vihen kushte të reja të cilat nëse zbatohen do tu ofrojnë atyre shtesë mbi pagën që përfitojnë.
"Risi në kontratën spitalore të vitit 2010, është aplikimi i formave të reja të vlerësimit të performancës së mjekëve, nëpërmjet matjes së një seti indikatorësh të cilët janë:
Përqindja e shfrytëzimit të shtratit, (sa më e lartë të jetë aq më efikas është spitali)
Përqindja e rishtrimeve përmes shërbimit te urgjencës brenda 72 orëve pas daljes nga pavijoni për të njëjtën diagnozë, (sa më e ulët të jetë, aq më efikas është shërbimi)
Përqindja e pacienteve të shëruar që kanë dalë nga spitali, (sa më e lartë të jetë aq më efikas është shërbimi e njëherësh edhe përfitimi i mjekëve) .
Përqindja e kryerjes së operacioneve cezariane te gratë shtatzëna (kur është e ulët tregon performancë të mirë të Maternitetit)", u shpreh drejtoresha e ISKSH-së.
Sipas ISKSH, qëllimi i vlerësimeve të reja është fuqizimi i spitaleve rajonale të cilat duhet të respektojnë sistemin e referimit në të kundërt për ta do të ketë penalitete nga 10 mijë deri në 30 mijë lekë.
"E gjithë reforma ka një drejtim që të fuqizojë spitalet rajonale.
Kjo do të thotë që përveç faktit që do t'u kërkojmë të dhëna, ne do të investojmë që shërbimi cilësor të rritet në spitalet rajonale, në mënyrë që aksesi i popullatës të jetë në këto spitale dhe jo të kemi një fluks të madh tek Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë.
Për këtë arsye ne do të fillojmë matjen e një seti indikatorësh sikurse përmenda më lart të cilët do t'i lidhim me pagesë shtesë e cila për vitin 2010 do të jetë në masën 5% e më pas do të vijojë të rritet", tha Hana.
Buxheti i ri i ISKSH për vitin 2010 është 25.9 miliardë lekë, fond ky që mbulon shërbimet shëndetësore në qendrat shëndetësore dhe spitalet, pagat e mjekëve dhe administratës, përveç investimeve që i përkasin ministrisë së shëndetësisë.
Hana theksoi se ndonëse ka një rritje të buxhetit për 2010 nevojat janë më të mëdha, ndaj kërkohen mënyra të reja financimi nga qeveria.
b.m/NOA
Â
Â
Â