Kopenhagen, 16 dhjetor, NOA - Në një kohë kur Samiti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për klimën në Kopenhagë hyn sot në fazën përfundimtare, kryeministri Berisha do të mbërrijë sot në kryeqytetin danez për të asistuar gjatë saj.
Bëhet fjalë për negociatat dhe vendimet paraprake që pritet të merren nga ministrat e Mjedisit ditën e premte, për të cilat gatitja do të nisë që ditën e sotme.
E në një situatë të tillë, kryeministri Berisha niset për të qenë në evenimentin e madh të klimës, ku janë të pranishëm aktualisht më shumë se 100 kryetarë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë bota.
Nisja e tij drejt Kopenhagenit bëhet në orën 15 të pasdites, kjo edhe pasi të ketë realizuar ceremoninë e marrjes së Pyetësorit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian nga kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan.
Ndërkaq, në Kopenhagen, megjithë ngadalësinë në negociata ekspertët shohin shanse të mira për arritjen e një rezultati mes palëve për mbrojtjen e klimës.
n.e/NOA