Tiranë, 16 Dhjetor NOA - Mbërrin në Shqipëri kompania e njohur sllovene Mercator e cila së bashku me InterSport, kanë zënë hapësira të konsiderueshme në qendrën më të re tregtare City Park që pritet të hapet mesditën e 19 dhjetorit në autostradën Tiranë-Durrës. Në një konferencë për shtyp të mbajtur sot në hotel "Tirana International', drejtuesit e kompanisë që vjen dhe si investimi më i ri slloven në Shqipëri, kanë treguar planet e tyre për Shqipërinë.
Të pranishëm ishin Kryetari i Bordit të Menaxhimit Ziga Debeljak, Drejtori Ekzekutiv i Mercator për Shqipërinë Marko Gvardjançiç dhe përgjegjësja e Marketingut, Iris Bakllamaja.
Të pranishmit u shprehën se hipermaketi do të ofrojë mbi 15.000 produkte ushqimore dhe jo ushqimore të vendosura në një zonë të marrë me qira prej 4.500 m2.
Kjo njësi tregtare është ndërtuar në më pak se 6 muaj dhe investimi i kompanisë tejkalon mbi 6 milionë euro, për të dy marketet, Mercator & Intersport.
Mercator është gjithashtu dhe mbajtësi ekskluziv i licencës për zinxhirin e madh global të produkteve sportive, Intersport, që nga viti 1999.
Ajo operon me 77 dyqane në 6 tregje dhe tani hapet për herë të parë në Shqipëri. Me mbi 1000 m2, zonë kjo që do të sjellë për konsumatorin shqiptar disa prej markave më të njohura të botës globale të mallrave sportive.
Mercator ka një politikë dhe virtyt, ku përveç produkteve sllovene, ajo do të kontraktojë furnizuesit lokalë', - tha Gvardjançiç.
Ai siguroi se Merkator do të marrë pjesë në formatimin e produkteve me cilësi të lartë, duke mundësuar në rritjen e standardeve të prodhimeve dhe unifikimin e tyre në nivele evropiane.
Të paktën 50% e produkteve që tregtohen në Mercator do të dalin nga furnizuesit vendorë.
Në sajë të kushteve të favorshme klimaterike të Shqipërisë, lejon një rritje të produkteve më të shijshme në të gjithë Ballkanin.
Gjithashtu është e mundur që me rritjen e Mercator, do të eksportohen produktet shqiptare në dyqanet e Mercator në tregje të tjera të Evropës. Mercator është një nga kompanitë më të mëdha të shitjes me pakicë në Evropën Juglindore, me një investim grupi prej 300 milionë eurosh në vitin 2008 dhe 159 euro gjatë vitit në vazhdim dhe me mbi 1 milion metra katrorë zonë shitjeje të kombinuar.
Ajo është kompania më e madhe sllovene, që punëson mbi 21 mijë njerëz në shtatë shtete.
Në fund të vitit që po mbyllet, Mercator do të ketë 1483 pika shitjeje, në pronësi dhe të marra me qera në tregje dhe ka arritur rreth 2.66 miliardë euro shitje neto në vitin 2009.
Përfaqësuesit e kompanisë thanë se Mercator ka një plan afatgjatë dhe ambicioz për të investuar në tregun shqiptar.
Hipermarketi i parë Mercator në Shqipëri, me një hapësirë prej 4500 m2 pret konsumatorët në ambientet e City Park. Atje janë punësuar 130 persona dhe siç theksoi z. Gvardjançiç, ai është i vetmi slloven që gjendet mes stafit shqiptar të Mercator Albania.
/e.r/r.l/NOA/