English

PS mbledh Asamblenë Kombëtare për diskutime mbi ekonominë

Tiranë, 16 dhjetor, NOA - Ndryshe nga takimet apo tubimet e fundit të Partisë Socialiste ku është diskutuar kryesisht për çështjen e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit, forca kryesore e opozitës do të mbledhë sot Asamblenë Kombëtare për të diskutuar mbi krizën ekonomike të vendit.

Bëhet me dijeni paraprakisht se diskutimet gjatë mbledhjes së kësaj asambleje do të jenë larg atyre për hapjen e kutive të votimit, porse do t'i kushtojnë një vëmendje të madhe situatës ekonomike dhe treguesve të saj aktualë.

Këto të fundit sipas përfaqësuesve socialistë po përkeqësohen nga dita në ditë nën qeverisjen Berisha, një faktor më shumë ky për ta larguar atë, pa harruar kryesorin, argumentin e manipulimit të zgjedhjeve.

Materialet e mbledhjes së Asamblesë janë përgatitur nga deputetja Ermelinda Meksi, Ilir Beqja, Erion Braçe etj, të cilët njihen si ekspertë të ekonomisë.

Ndërkaq, kjo asamble pritet të miratojë edhe përbërjen e komisionit të ekonomisë pranë saj, sikundër do të miratohet edhe një rezolutë, e cila përveç karakterit ekonomik do të ketë në qendër edhe qëndrimin politik të Partisë Socialiste ndaj kryeministrit Berisha.

n.e/NOA

KOMENTE