Tre persona janë arrestuar në lidhje me të ashtuquajturin "Rasti Tisa", me urdhër-arrest të lëshuar nga gjykatësi për procedurë paraprake i misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX. Katër persona të tjerë janë në arrest të përkohshëm të autorizuar nga Prokurori Special i EULEX-it
Prishtinë, 16 Dhjetor NOA - Dy muaj pas tragjedisë në lumin "Tisa", Policia e Kosovës arrestoi shtatë persona si të dyshuar se janë të përfshirë në trafikimin me njerëz dhe se kanë lidhje drejtpërdrejt me këtë tragjedi.
Lajmi u konfirmua nga misioni i EULEX-it dhe Policia e Kosovës, citon RFE. Zyrtari për informim në Policinë e Kosovës, Brahim Sadriu, tha: "Më 16 dhjetor, rreth orës 6 të mëngjesit, Policia e Kosovës ka arrestuar 7 persona, si të dyshuar se kanë kryer vepër penale, kontrabandim me emigrantë dhe krim të organizuar. Tre prej këtyre personave janë të dyshuar se kanë lidhje direkte me incidentin në lumin ‘Tisa' ". Në tragjedinë e Tisës, nga 15 personat e zhdukur, tashmë në Kosovë janë kthyer 11 kufoma të gjetura në pjesën hungareze dhe serbe të lumit "Tisa". Ndërsa, edhe katër të tjerë vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur. Tragjedia ndodhi në mesin e muajit tetor, kur varka e grupit të kosovarëve, që përpiqej të kalonte ilegalisht kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë, u fundos në lumin "Tisa". Tre persona i patën shpëtuar tragjedisë. Zyrtari për informim i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, tha se operacioni është zhvilluar në komunat e Vitisë, Gjakovës, Podujevës, Gjilanit, Prishtinës dhe Mitrovicës. Mirëpo, ai nuk bëri të ditur identitetin e të arrestuarve. "Të gjithë janë shtetas të Kosovës, të nacionalitetit shqiptar", tha Sadriu. Në një komunikatë të lëshuar nga EULEX-i, thuhet se, "aktualisht, katër të dyshuarit që janë në arrest të përkohshëm, me kërkesën e Prokurorit Special të EULEX-it, janë duke u marrë në pyetje me mundësi që gjykatësi për procedurë paraprake i EULEX-it, të urdhërojë masën e paraburgimit". Ndryshe, pak ditë pas tragjedisë, një person qe vetëdorëzuar në Polici, duke pranuar përfshirjen e tij në rastin e lumit "Tisa". Ai i pati thënë policisë se u ka marrë familjeve, që ishin kontrabanduar përtej kufijve, nga 6 deri në 8 mijë euro. Prokuroria e EULEX-it e pati cilësuar të njëjtin si të dyshuar, por e pati liruar në shtëpi. Policia nuk saktësoi nëse i njëjti është në mesin e të arrestuarve të së mërkurës.