Tiranë, 16 dhjetor NOA - Lideri i G99, Erion Veliaj i kërkoi sot qeverisë shqiptare rikthimin me urgjencë të misionit të FMN-së në Shqipëri, ndërkohë që kërkoi të paguhen sa më parë paraplegjikët, ish-ushtarakët, minatorët, punonjësit e policë dhe mbi 125 mijë buxhetorët shqiptarë.
Gjatë një konference për shtyp se, Veliaj u shpreh se "në këto muaj të mungesës së FMN-së kemi parë një shthurje financiare e fiskale të pakonceptueshme më parë, para publike të bëra rrush e kumbulla në fushatë e në anti-mitingje e pagesa të prapambetura biznesit e shoqërisë prej muajsh".
G99 i bëri me dije kryeministrit dhe ministrit të Financave se janë duke shkelur Ligjin për Zbatimin e Buxhetit, neni 5 i të cilit përcakton se: Buxheti i shtetit nuk mund të trashëgohet nga njëri vit në tjetrin.
"Kjo qeveri, pasi shpenzoi taksat e shqiptarëve në fushatë vjedhacake, në tunele që shemben, e në anti-mitingje, sot thotë që nuk ka më para dhe u kërkon shqiptareve që gjatë dhjetorit të festave të hyjnë në dyqane me lista për ushqimet, apo për bredhin e familjes. Meqë ra fjala tek bredhi", shtoi Veliaj.
Një vëmendje të veçantë i kushtoi lideri i G99 gjatë kësaj konference për shtyp, rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
"Kjo rritje do të prekë të gjithë qytetarët e ndershëm të Shqipërisë, të cilët do të paguajnë dhe për ata që nuk e paguajnë. Listën e atyre që nuk e paguajnë energjinë e kryesojnë institucionet e qeverisë Berisha. Këto janë humbje në rrjet, në rrjetin e paaftësisë lapidare dhe korrupsionit historik të kësaj qeverie", tha Veliaj.
k.k/NOA