Tiranë, 17 dhjetor NOA - Zëdhënësja Bashkisë së Tiranës, Johana Bushi ka reaguar sot në lidhje me deklaratat e Ferdinand Ponit se ai shpif ndaj Bashkisë së Tiranës dhe kryetarit të saj për tokën e kompleksit Tajvan.
"Sot për të disatën herë shtetasi Ferdinand Njazi Poni në cilësinë e zëdhënësit të politikës së përbaltjes, doli dhe përsëriti shpifjet dhe akuzat false ndaj Bashkisë së Tiranës dhe Kryetarit të saj, lidhur me tokën e kompleksit Tajvan.
Bashkia e Tiranës si përherë, politikës së përbaltjes do t'i vendosë përballë të vërtetën dhe ligjin.
Në respekt të opinionit publik, i bëjmë me dije shtetasit Ferdinand Njazi Poni se në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është regjistruar kallëzimi penal me nr 1875E, paraqitur nga Bashkia e Tiranës kundrejt tij, për veprën penale, shpifje e qëllimshme për shkak të detyrës" tha Bushi
Ajo gjithashtu deklaroi se ndaj Ponit i është bërë padi civile për dëmshpërblimin e imazhit të cënuar të Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar prej tij mbjelljen e 1250 pemëve të llojit bli.
"Shtetasi Ferdinand Poni të shkojë e të faktojë pranë organeve të drejtësisë shpifjet dhe akuzat e lëshuara papërgjegjshmërisht, duke uzurpuar ekranet e qytetarëve kundër Bashkisë së Tiranës dhe Kryetarit të saj.
Bashkia e Tiranës nuk do të çojë dëm asnjë sekondë nga puna e saj.
Bashkia e Tiranës nuk do të përçojë përmes ekraneve, përgjigje boshe për shpifje e trillime të ulëta" përfundoi Bushi.
k.k/NOA
Â
Â