Athinë, 17 dhjetor, NOA - Në Greqi, mjekët dhe gazetarët kanë hyrë në grevë në shenjë proteste ndaj programit të kursimeve të njoftuar nga qeveria e Papandreut për të përballuar krizën ekonomike që ka pllakosur vendin, ndërsa një ditë më parë në grevë u hodhën edhe mësuesit duke bllokuar procesin mësimor nëpër shkolla.
Situata mesa duket, paraqitet mjaft e rëndë në planin psikologjik për t'u përballuar nga popullata greke, në një kohë kur qeveria socialiste e Kryeministrit Jorgos Papandreu synon të shmangë me masa drastike falimentimin financiar të shtetit.
Nuk janë pak, por plot 300 miliardë euro borxhe që rëndojnë në kurrizin e Greqisë për të cilat Papandreu ka thënë qartë se nëse nuk merren masa, atëherë do të cënohet sovraniteti i këtij vendi.
Situata aktuale pas grevave të mjekëve dhe gazetarëve është që në spitale po trajtohen vetëm rastet urgjente, ndërsa në radiot dhe televizionet greke nuk transmetohen lajme.
n.e/NOA