Foto: Illinois, vendi ku do të strehohen të burgosurit e Guantanamos
Presidenti amerikan, Barak Obama, ka urdhëruar blerjen e një burgu në shtetin e Illinoisit për t'i vendosur të burgosurit që, aktualisht, janë në Guantanamo. Vendimi është hap i rëndësishëm drejt përmbushjes së premtimit të Obamës për ta mbyllur në vitin e ardhshëm, burgun e Guantanamos, ku janë të dyshuarit për terrorizëm.
Burimet zyrtare në Uashington pohojnë se rreth 100 të burgosur do të mund të vendosen në burgun në Illinois. Fillimisht, vendimi i Obamës, që të akuzuarit për terrorizëm të silleshin në pjesën kontinentale të vendit dhe të gjykoheshin në gjykatat civile, ngjalli kritika të ashpra. Kundërshtarët thanë se vendosja e të akuzuarve për terrorizëm në territorin amerikan do të nxiste sulme të reja kundër SHBA-ve. Por, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, i hodhi poshtë këto kritika, duke theksuar se aktualisht janë 350 terroristë të dyshuar që vuajnë dënimin në territorin amerikan. Madje, Gibs shkoi dhe më tej; ai përmendi me emra konkretë kundërshtarët e mbylljes së burgut në Guantanamo, raporton radio Evropa e Lirë.. Ai tha se Xhon Boener, anëtar i Kongresit amerikan nga Partia Republikane, është një nga kritikët më të ashpër. Gibs e këshilloi Boenerin t'i telefononte shefit të CIA-s, apo drejtorit të Zbulimit Kombëtar. "T'i pyesë ata nëse mund të vejë e të shikojë videon e fundit të vendosur në internet nga Al-Kaida. Tridhjetedy herë, që nga viti 2001, dhe katër herë gjatë këtij viti, udhëheqësit më të lartë të Al-Kaidës kanë përdorur burgun e Guantanamos si arsye për të rekrutuar ekstremistë. Mbyllja e burgut të Guantanamos e bën këtë vend më të sigurt", përfundoi Gibs. Plani mbështetet plotësisht nga guvernatori i Illinoisit, Pet Kuin. Ai tha se banorët e lokalitetit të vogël, ku do vendoset burgu, janë të interesuar nga kjo ide dhe ndaj shtytjes që burgu do t'i japë ekonomisë lokale. "Ky do të jetë burgu më i sigurt në Amerikë. Askush nuk është arratisur ndonjëherë nga ndonjë burg federal. Burgu Tompson do të jetë burgu më i sigurt i të gjitha kohërave në vendin tonë", tha guvernatori i Illinoisit Kuin. Edhe senatori i Illinoisit, Dik Durbin, pohoi se funksionalizimi i burgut do të hapë 3000 vende të reja pune, në një zonë ku papunësia aktualisht është 11 për qind. "Ne besojmë se është shërbim i madh ndaj vendit mbyllja e Guantanamos dhe eliminimi i kërcënimit që aktualisht paraqet ky burg për ne", theksoi Durbin. Të njëjtin mendim ndan edhe Xhejms Xhons, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit amerikan. "Duke marrë një hap të tillë, ne u heqim terroristëve në mbarë botën një mjet që e kanë përdorur në rekrutimin e terroristëve dhe terroristëve potencialë, që do të mund të dëmtonin vendin tonë dhe që përpiqen të shkatërrojnë mënyrën tonë të jetesës", tha Xhons. Administrata Obama është përpjekur të gjejë në mesin e vendeve aleate të gatshme për të pranuar të burgosurit e Guantanamos, por këto përpjekje nuk kanë qenë shumë të suksesshme.