English

Politika e luftës dhe e pamundura e Sizifit

Artileria e rëndë duhet të tërhiqet nga fushëbeteja. Mbase kjo dikton si domosdoshmëri edhe ndryshimin e strategjisë dhe taktikës politikbërëse së "luftës". Gjuha e acaruar dhe nervat e tendosura, vetëm sa e rëndojnë kurrizin ulok të situatës, duke e degdisur drejt të pamundurës, këtë Sizif politik

Nga Albert Vataj*

Mbasi kanë ballafaquar forcat mbështetëse, "100 mijë vetë" në protestën e 20 nëntorit dhe "gjysmë milioni" në festën e 8 dhjetorit, elefantët e politikës vijojnë të përplasin egërsisht me njëri-tjetrin. Sakaq më ndërmendet një proverb Indian që thotë, "Kur zihen elefantët, ai që e pëson është bari". Dyshimi për ta pranuar këtë proverb si të tërë, nuk më nxjerr nga shtjella e bindjes, se politika shqiptare po dëmton qartazi dhe ngultas imazhin dhe shanset integruese. Vetëm po besuam në mrekulli, shpresojmë se mund të lind dhe të rritet në këto kushte të acarta politike, paqja dhe kompromisi, dialogu dhe fundi i bojkotit të institucioneve. Sakaq, horizontet drejt evropianizmit do të çelen.

Por opozita ngultazi zvarritet në vazhdën e "politikës së madhe" jashtë parlamentit, larg institucioneve. Rikthimi i saj në sheshe, vetëm sa e vel aftësinë ndikuese dhe motivimin e resursit njerëzor, për ta ushqyer këtë gjenerim energjie. Rama nuk duket me ndonjë ndërmendje për të lëshuar pe, pavarësisht se takimi i tij me Presidentin u duk si një sinjal pozitiv, anipse i pabereqetshëm. Berisha nga ana tjetër, ka vendosur të mbajë në efiçencë artilerinë e rëndë, duke mëshuar fuqimisht respektimin e institucioneve dhe mbajtjen e zgjedhjeve larg telashit të hapjes së kutive. Ndërkombëtarët, rast pas rasti, po i bëjnë me dije politikës, se dialogu është një domosdoshmëri e interesave integruese.

Vullneti për të gjurmuar mundësitë dhe për të gjetur zgjidhjen, ka mbajtur dhe do të mbajë endë të kyçur kutitë dhe horizontin drejt sfidave evropiane. Së paku kësaj trumbete po i bihet. Pasi kjartësisht konstatojmë se politika shqiptare e ka të pamëdyshtë pasionin e saj të konfliktualitetit, si vazhdë e respektimit të traditës.

Në zënkat publike, politikanët vazhdojnë të sillen sipas logjikës së mikut dhe të armikut. Një formë e ritualizuar e konfrontimit, e cila nuk e fsheh mëritë e thellë latente. Megjithatë askush nuk pranon t'i pohojë konfliktet si themelore e jetës dhe veprimtarisë prodhuese të politikës. Përkundrazi, vazhdojnë të djegin temjan dhe të predikojnë për devotshmëri dhe bashkëjetesë paqësore mesvedit. Ashpërsia e konkurrencës për pushtet politik ndërmjet së djathtës dhe së majtës, madje edhe nëse që të dyja e konsiderojnë të kapërcyer këtë dallim, vazhdon të përftojë organizimin e hapësirës politike në përputhje me logjikën e mikut dhe të armikut. Megjithatë, konfliktualiteti nuk ka të bëjë më modele alternative të shoqërisë, po thjeshtë luftë për pushte dhe pretendime territoriale të kamufluara këto me petkun e kauzës së integrimit. Politika vazhdon të jetë e njëjtë, e prirur për nga kontradiktat, konfliktuale, e sertë, shpesh edhe e paqartë dhe e çorientuar, pa ide dhe e shteruar në alternativa. Ajo që ka ndryshuar është rëndësia e asaj për të cilën luftohet. Rëndësia nën veladon. Tashme nuk është fjala dhe aq për shndërrim social, sepse politikanët nuk e marrin përsipër rolin e heroit për të paraprirë, edhe pse qasjet për të ngasur një vullnet të tillë, janë kryefjala e ligjërimeve dhe epiqendra sizmike e transformimit. Konflikti politik, fatkeqësisht sa vjen e katandiset, jo tamam si një përballje alternativash, se sa konflikt midis grupesh të interesit ekonomik për të fituar pozicione të reja ndikimi dhe supremacie. Është pikërisht kjo, që kacafytjet politika i bën gjithnjë e më të ashpra dhe shtysat gjithnjë e më parimore, më idealiste.

A jemi vallë, në një fazë tranzicioni në hapësirën politike, apo thjeshtë politika shqiptare ka mbetur konseguente e shprehive të saja të garrametshme, politikëbërëse të së shkuarës? Kjo ka bërë që pretendimet për besueshmëri dhe mbështetje popullore të jetë dhe të trumbetohet si një trofe, jo si një ndikesë që gjallon nga energjia që çliron pasioni politik dhe militantizmi. Me fjalë të tjera, politika mbetet e vetme në fushëbetejë. Që interesi për politikën të mund të rikthehet, nevojitet një rinovim i gjuhës, një gjuhë që të përputhet më mirë me realitetin dhe aftësi për të rindërtuar idenë dhe alternativën, e jo për të përsëritur veten, atë të fshikulluaren, atë të vetëpërjashtuar nga ndryshimet dhe kërkesat gjithnjë në rritje, për qytetari, mature, tolerancë, dialog, mirëkuptim dhe vullnet për të rendur, e ndërsa ecën për të ndryshuar. Vitet rendin e ngulazi me të rendin dhe transformimet. Rriten kërkesat dhe kriteret. Realiteti shtron përpara një sërë zgjidhjesh të ngutshme dhe me rëndësi kapitale. Në këtë ngarendje, në një terren që mbetet gjithnjë armiqësor, politika e gjen veten shpeshherë të ngërthyer në kacafytje. Jo gjithnjë zhvillimet u shtratuan në rrugëtimin e tyre natyror. Shpesh ato i ngjanin zbritjes uturitëse të një përroi, i cili ishte mbarsur nga shira gjëmimtarë.

Nëse gjithçka determinohet nga forca që gjenden jashtë vullnetit politik, angazhimi nuk ka asnjë lloj kuptimi. Prapëseprapë, me diçka duhet të ushqehen ata që mbeten. Ideologjitë esencialiste rishfaqen me karakteristika të ideologjive epokale, anipse ato janë vetëm fasada e gjithë kësaj ngrehine që po bie gurë pas guri.

Ai pasion politik që u rrit në rrjedhë të premtimit të madh mund të konsiderohet se na ka dhënë lamtumirën në një farë kuptimi. Megjithëse ende kjo kolonë mbetet në këmbë, madje, ne e pikasim atë si të vetmen që mbanë pa rënë ngrehinën. E djathta, fatmirësisht në pushtet, duhet të jetë e kujdesshme dhe të ysht në vetvete atë që e karakterizon, njohjen dhe trajtimin e filozofisë së vlerave. Në këtë kuadër, do ta gjente të përligjur për hir të interesave madhore, të dale nga vetvetja, aq sa të mbrojë kauzën dhe të shpëtojë doktrinën. Pra të ofrojë zgjidhje, dhe të mos e ofrojë këtë si një rebus.

Duhet ndërmendur se: "Ajo që nuk zgjidhet, pezmatohet, derisa shpërthen, duke prodhuar metastaza", konstaton te "Fundi i pasionit politik", Josep Ramoneda. Qasjet për ta trajtuar si një mbarsje të rrezikshme, duket se kanë orientuar të tashmen politike, jo dhe aq përnga një rrugë pa krye, se sa drejt një etape të pafund të konfliktalitetit. Tensioni ideor dhe shprehës, kontradiktat thelbësore të zanafillës së shtrëngatës, e shtytin, duke e dëngur me helm mundësinë e perceptimit, të asaj që do të konsiderohej si një zgjidhje. Palët mbrojnë më fanatizëm argumentet e tyre, të shndërruara në armë të duelit. Ndonëse asnjëri, formalisht, nuk e pranon se kjo tashmë është një betejë, madje e ashpër dhe pa kurrfarë rreze shprese për armëpushim, ose e thënë me terma bashkëkohore, për kompromis politik. Në të tashmen e dialogut, si kusht i politikave integruese, mazhoranca duhet të jetë i ngasur për nga vullneti i tolerimit dhe kompromisit.

Artileria e rëndë duhet të tërhiqet nga fushëbeteja. Mbase kjo dikton si domosdoshmëri edhe ndryshimin e strategjisë dhe taktikës politikbërëse së "luftës". Gjuha e acaruar dhe nervat e tendosura, vetëm sa e rëndojnë kurrizin ulok të situatës, duke e degdisur drejt të pamundurës, këtë Sizif politik.

(*) Dërguar nga autori, publicistÂ

KOMENTE