English

Arma më e përdorur në SHBA prezantohet edhe në Shqipëri

FOTO

Tiranë, 18 Dhjetor NOA - Kërkesat e mëdha për modernizim të Forcave të Armatosura, lindur menjëherë pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO kanë tërhequr vëmendjen e shumë kompanive që prodhojnë armë dhe pajisje të tjera ushtarake. Prodhuesi dhe furnizuesi kryesor me pistoleta dhe pushkë i Forcave të Armatosura dhe Policisë kroate ka ardhur në Tiranë, ku ka prezantuar gamën e produkteve.

Në regjimentin e Forcave Komando, një prej reparteve elitë i Forcave të Armatosura në Shqipëri, janë kryer dhe testime, prova dhe njohje me armët e kompanisë HS Produkt. Në një organizim të përkryer nga Klik Ekspo Group, përfaqësues të forcave të Armatosura, policisë, forcave RENEA, Policisë Bashkiake dhe njësive të tjera të armatosura kanë njohur nga afër armët më të fundit të HS Produkt.

Në ambientet e Regjimentit Komando, fillimisht u krye një prezantim në format elektronik dhe më pas për dhjetëra minuta u kryen testime të armëve.

Në aktivitet, ishin të pranishëm dhe ambasadori i Republikës Kroate, komandanti i përgjithshëm i Forcave Detare Kristaq Gerveni, si dhe drejtues të Repartit RENEA, policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake të Tiranës.

Gjatë prezantimit të pistoletës HS-9, dhe pushkës VHS-NATO, e modeleve të tjera të modifikuara të këtyre armëve drejtues të kompanisë kroate thanë se këto janë armët lider në Shtete e Bashkuara të Amerikës, Kroaci dhe vende të tjera. Po gjatë prezantimit, dhe testimeve të kryera në Poligonin e Zall Herrit, nga dhjetëra të pranishëm u pranua cilësia mëse e pëlqyeshme e armëve, prakticiteti dhe mbi të gjitha nevoja që ushtari shqiptar të jetë modern.

Komandanti i Regjimentit Komando, Dritan Demiraj, tha se tanimë ushtria shqiptare ka hyrë në rrugën e mbarë të modernizimit. Prej muajsh, disa reparte kanë kryer dhe po kryejnë reformat e nevojshme, dhe shumë shpejt të gjitha repartet e Forcave të Armatosura do të renditen të barabarta përkrah ushtrive të vendeve të tjera.

Vlerësime maksimale për Klik Ekspo Group, si organizator i aktiviteteve ku shfaqen dhe testohen armë, ka bërë dhe Kristaq Gerveni, zëvendësshef i shtabit të përgjithshëm.

Kërkesat e tregut

Nga një ushtri dhe polici tërësisht e izoluar me tregjet e armëve, pajisjeve dhe makinerive ushtarake, tanimë Forcat e Armatosura duhet tu përshtaten standardeve të NATO-s. Kështu, kanë nisur krijimi i kontakteve, takimet dhe njohjet me produktet e shumë kompanive të huaja, kryesisht private. Zeljko Pavlin, drejtori i përgjithshëm i HS Produkt, shprehet se blerja e gjithë pajisjeve të një ushtari është e pashmangshme, çka dhe e ka bërë tregun shqiptar tërheqës.

"Shqipëria ka nevojë për produkte dhe mjete moderne. Ne mendojmë se Forcat e Armatosura dhe ato të policisë, dhe të tjera kanë nevojë për produktet tona. Në ambientet e Regjimenti Komando do të demonstrojmë përdorimin e disa prej produkteve tonë, që janë dhe kryesoret që ne prodhojmë", - tha Zeljko Pavlin, drejtori i përgjithshëm i HS Produkt.

Më tej u demonstruan teknikisht, dhe u kryen qitje me disa lloj pistoletash dhe automatikësh.

HS Produkt ka mbi 17 vjet që është themeluar. U krijua si kompani në Kroaci, menjëherë pas zgjedhjeve të para demokratike në vendin tonë. Kompania, që prej atëherë ka qenë një ndër furnizuesit kryesorë të Policisë kroate dhe forcave të Armatosura.

"Në 17 vjet ne jemi zhvilluar shumë si kompani, dhe tanimë jemi furnizuesi kryesor i Forcave të armatosura në Kroaci, si dhe Policisë. Sa i përket tregut privat, ju them qe ne kemi shitje prej mbi 1 milionë pistoleta në vit ne Shtete e Bashkuara", - tha Pavlin.

Që prej vitit 2000, armët e HS Produkt janë më të përdorurat nga shumë reparte Speciale dhe të Forcave të Armatosura në SHBA. Po kështu, kontrata të rregullta prej vitesh kanë bërë që departamentet e policisë të shumë shteteve në kontinentin Amerikan të përdorim si armë kryesore ato të HS Produkt.

 "Po ju them qe në jemi pistoleta më e mirë në Shtetet e Bashkuara. E kemi fituar këtë vlerësim në vitin 2003, në 2006 dhe tani, në vitin 2009. Besoj që kemi produkte që do të kënaqin të gjitha Forcat e Armatosura dhe ato të Policisë. Modeli HS-9, që është modeli bazë është më i shituri dhe më i suksesshmi në Shtete e Bashkuara të Amerikës, si për tregun ushtarak, ashtu dhe për privatët.

"Jemi e vetmja pistoletë në botë që kemi treg për të gjithë klientët. HS-9 përdoret kollaj dhe nga femrat, apo nga personat që kanë duar të vogla. Këmbëza e veçantë e HS-9 lejon qitje më të madhe", - vuri në dukje z.Pavlin.

Po kështu, - vijoi ai, - thjeshtësia në përdorim, shënjestra, dhe mënyra e të qëlluarit janë pikat tona të forta.

"Një çelës i suksesit tonë është përbërja e materialit me të cilin ndërtojmë pistoletat dhe armët e tjera. Te HS-9 pemi përbërje polimeri dhe metali, çka sjell precizion të njëjtë të pistoletës dhe pas 20 mijë të shtënash. Arma nuk nxehet, nuk bymehet, apo hyukmbet cilësinë e saj në të shtënë. Pistoletat tona kanë tre sisteme direkte sigurie te këmbëza, te doreza dhe te bllokuesi. Po kështu, kanë dhe dy sisteme të tjera sigurie, që mund të quhen si pajisje shtesë. Si rezultat i këtyre, ju garantojmë me 100 për qind që armët tona nuk kryejnë shkrepje aksidentale", - theksoi z.Pavlin.

Forcat Komando

Vetë pjesëtarët dhe drejtuesit e Forcave Komando thonë se nevoja për modernizim është urgjente për Forcat e Armatosura. Komandanit i këtij regjimenti thotë se shumë punë ka për të bërë, dhe se lidhjet me kompani, tregje, prodhues dhe shitës të armëve e pajisjeve ushtarake janë mëse të nevojshme.

Dritan Demiraj, tha për mediat se angazhimi i Forcave tona të Armatosura, dhe ushtrisë përkrah forcave dhe vendeve të NATO kërkon si nevojë modernizimin e ushtarit tonë, e njësive shqiptare të Ushtrisë.

"Ne si Regjiment, por dhe të gjitha forcat e Armatosura po punojnë shumë për t'u reformuar, dhe për të renditur sa më parë përkah ushtrive të vendeve të NATO-s. Prej muajsh ne punojmë, si në modernizim e armëve, pajisjeve dhe mjeteve ushtarake, ashtu dhe në reformimin e sjelljes, reagimit dhe gjithë veprimeve që duhet të kryejnë Forcat e Armatosura. Ne, edhe pse në pak kohë, po ecim mirë në arritjen e standardeve", - tha Demiraj.

Aktiviteti i Zall Herrit është i dyti i këtij lloji brenda pak javësh. Tanimë, është plotësuar dhe kuadri ligjor që ka hequr monopolin e import eksportit të armëve dhe pajisjeve luftarake. Me krijimin e Autoritetit Kontrollues Shtetëror të Eksporteve, do të mbikëqyret dhe tregu i krijuar rishtas në Shqipëri.

f.p/e.r/NOA

KOMENTE