English

Berisha merr pjesë në darkën mbretërore të shtruar nga Mbretëresha e Danimarkës

Presidenti Sarkozy, Kancelarja Merkel, Kryeministri i Japonisë, Kryeministri i Belgjikës, Kryeministri i Kanadasë, Sekretarja e Shtetit znj. Hillary Klinton, Kryeministri i Norvegjisë dhe kryeministrat e vendeve të tjera mike e siguruan Kryeministrin Berisha se do të vizitojnë Shqipërinë.

Kopenhagen, 18 Dhjetor NOA - Në ditën e dytë të vizitës së tij në Danimarkë, Kryeministri Berisha mori pjesë në pritjen dhe darkën që Mbretëresha e Danimarkës Margrethe II kishte shtruar për nder të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të pranishëm në Samitin për Klimën, në Kopenhagen.

Gjatë pritjes dhe gjatë darkës, Berisha shfrytëzoi rastin për të zhvilluar biseda me liderët më të mëdhenj të botës.

Kështu ai bisedoi me Presidentin e Francës Nicola Sarkozi, Kancelaren gjermane Angela Merkel, Kryeministrin e Japonisë Yukio Hatoyama, Presidentin e Brazilit Luiz Inácio Lula da Silva, Presidentin e Meksikës Felipe Calderón, Sekretaren e Shtetit Hilary Clinton.

Po ashtu kryeministri bisedoi me Kancelarin e Austrisë, Presidentin e Komisionit Evropian José Manuel Barroso, Presidentin e Parlamentit Evropian z. Busek, Presidentin e Kolumbisë z. Uribe, Presidentin e Serbisë, Senegalit.

Shefi i qeverisë shqiptare ka biseduar edhe me Kryeministrin e Kanadasë Stephen Harper, Spanjës José Luis Rodríguez Zapatero, si dhe me kryeministrat e Holandës, Luksemburgut, Suedisë, Australisë, Maltës, Letonisë, Estonisë, Kuvajtit, Zelandës së Re, Singaporit dhe Malajzisë.

Në këto biseda Berisha diskutoi për marrëdhëniet dypalëshe, si dhe për përpjekjet e Shqipërisë për të përballuar pasojat e ndryshimit të klimës dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për zhvillimin e të gjithë potencialeve të saj për energji të rinovueshme.

Gjatë takimeve, Kryeministri përsëriti ftesën për bashkëbiseduesit e tij për të vizituar Shqipërinë.

Në të gjitha këto takime u diskutua gjithashtu edhe për zhvillimet ekonomike në vend, - bën të ditur zyra e shtypit të qeverisë.

Kryeministri i njohu bashkëbiseduesit me gjendjen solide të ekonomisë shqiptare, si një ekonomi me një rritje rreth 5 për qind, me stabilitet të plotë makroekonomik, me deficit buxhetor 3.9 për qind, rritje të madhe të investimeve, zhvillimin e turizmit dhe stabilitetin e sistemit bankar në vend.

Në këto biseda Berisha mori mbështetje të plotë për intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale me këto vende mike, si dhe mori mbështetje nga të gjithë Kryeministrat e vendeve anëtareve të Bashkimit Evropian për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Konfirmohet se Presidenti Sarkozy, Kancelarja Merkel, Kryeministri i Japonisë, Kryeministri i Belgjikës, Kryeministri i Kanadasë, Sekretarja e Shtetit znj. Hillary Klinton, Kryeministri i Norvegjisë dhe kryeministrat e vendeve të tjera mike e siguruan Kryeministrin Berisha se do të vizitojnë Shqipërinë.

e.r/NOA

KOMENTE