English

Dialog? Pse jo

Dialog? Po. Por më parë të hapin kutinë e mbyllur të të dhënave reale e të realitetit të plagëve të ekonomisë, duke filluar nga tuneli i Kalimashit, shifrat faktike të shpenzuara deri tani, sasinë e dëmit të shtuar nga shembja, parashikimin fundor të kostos së rrugës dhe, padyshim, nisja e hetimeve për të me një shprehje të qartë vullneti

Nga Edi Rama* (Foto: NOA/LSA)

Kryetar i PS

Kur një vit po ikën dhe një tjetër po vjen ne jemi në protestë, jo në festë.

Dyqanet e mbytura në listat e borxheve kanë më pak blerës se asnjëherë në fund viti qëkur s'mbahet mend.

Në vend se t'i gëzoheshin festave duke shitur më shumë me çmime më të ulëta, biznesmenët e vegjël të Vlorës, Fierit e të të gjithë Shqipërisë presin në dyqanet bosh janarin e tmerrshëm që i kërcënon me hijen e TVSH-së dhe tatim fitimit. Â

Të cilët me siguri nuk e kanë marrë vesh akoma se për ta, për baret, restorantet, ushqimoret, floktoret, libraritë, rrobaqepësitë, kinkaleritë, çmimi i energjisë është rritur jo 13, po 22%. Ne protestojmë në emër të tyre. Sali Berisha i premtoi biznesit të vogël barrën më të ulët fiskale në botë për t'u marrë votën dhe sot po u pret faturën më të lartë në historinë e këtyre 19 vjetëve pasi u ka marrë votën.Â

Ne protestojmë duke i thënë Sali Berishës hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re për biznesin e vogël. Ne sot protestojmë sepse Shqipëria që jeton jashtë oborrit të Familjes në Pushtet e ka të pamundur të festojë Krishtlindje e Vit të Ri.

Në vend se të festojë kjo Shqipëri po përballet me mosmarrjen e rrogës së vigjiljes së Vitit të Ri. Ne protestojmë për këtë tallje të qeverisë me 110 mijë rrogëtarë të këtij vendi. Në vend se të mendojnë për dhuratat e fëmijëve për Krishtlindjet të gjithë prindërit që deri vjet merrnin edhe një rrogë tjetër shpërblim, për punën në shërbim të shtetit, nuk do të marrin as rrogën e përmuajshme, as rrogën e shpërblimit. Ne protestojmë në emër të tyre. Sali Berisha u bëri rritje rrogash punonjësve të këtij shteti për t'u marrë votën dhe sot u fut dorën në xhep për t'u marrë më shumë se ç'u dha.

Ne protestojmë duke i thënë hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re për administratën e shtetit shqiptar. Për një administratë të çliruar nga kthetrat e pushtetit. Për nëpunës e nëpunëse që i shërbejnë ligjit, qytetarit, të drejtës së shërbimit dhe lirisë së sipërmarrjes.

Në vend se të presin festat për të kaluar ca ditë e net të ngrohta me fëmijët, nipërit e mbesat e tyre, 540 mijë pensionistët e këtij vendi presin me drithërim janarin kur nën derë do t'u hyjë fatura e re e energjisë. Ne protestojmë në emër të tyre. Sali Berisha u bëri rritje pensionesh më të shkretëve të kësaj shoqërie dhe sot ua ka bërë zero rritjen e pensionit me çmimin e rritur të jetesës e me faturën e re të energjisë.

Ne protestojmë duke i thënë hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re për më të moshuarit. Për një politikë që nuk gënjen, po hap zemrën. Për një politikë që hallin që nuk e zgjidh, e qan me sinqeritet. A ju kujtohet motra e vëllezër sa herë ka dalë përpara popullit Sali Berisha për të thënë duke u gajasur, "Mos dëgjoni ministrat e mi dhe askënd tjetër që ju thotë duhet rritur çmimi i energjisë, sa të keni Sali Berishën, nuk rritet çmimi"? Dhe mos harroni, këtë jua ka thënë edhe përpara zgjedhjeve kur e kishte në sirtar firmën që kishte hedhur për rritjen e çmimit.Â

Ne protestojmë duke i thënë hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re për energjinë. Për burime të reja energjie që nuk varen nga korrupsioni e klientelat. Për ndarje të arsyeshme të barrës së çmimit. Për ndaljen e vjedhjeve dhe lehtësimin e atyre që e paguajnë dyfish sepse nuk e vjedhin energjinë.Â

E dëgjuat ç'tha mbrëmë kompania që ka privatizuar shpërndarjen e energjisë. Çmimi që na ka dhënë shteti tha është i papranueshëm, duhet të jetë më i lartë ndryshe kompania rrezikon të falimentojë. Sali Berisha ka gënjyer edhe kompaninë me të cilën ka firmosur tjetër gjë dhe tani që e vërteta e frikshme e rrokullimës së ekonomisë e të kompanisë bashkë po ia nxeh karrigen ku është ulur, gënjen këtej e gënjen andej se s'di nga t'ia mbajë. Â

Ne protestojmë duke i thënë hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re me investitorët e investimet e huaja. Për import kapitalesh investuese duke hapur vende të reja pune dhe jo shitje të së ardhmes së vendit për përfitime të shpejta të pushtetit të interesave familjare. Për një Shqipëri të tregut të lirë jo për tregje të kapura.Â

Në vend se të festojnë edhe ata si gjithë të tjerët, 46 mijë invalidë të harruar në këtë vend kanë muaj që s'marrin atë që u takon me ligj dhe jo me përrallat që Sali Berisha ua tregoi si angazhime elektorale. Ne protestojmë në emër të tyre. I themi hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re për më të pambrojturit. Për një qeveri që nuk tallet me ata që s'kanë zë, s'kanë dëgjim, s'kanë gjymtyrë apo fuqi të reagojnë. Për një qeverisje që ka gojë, veshë, sy, duar edhe për më të pambrojturit. Në vend se Krishtlindjet e Viti i Ri të sillnin pak më shumë gëzim për 800 mijë shqiptarët e pasiguruar, ata kanë marrë lajmin se për çdo trokitje tek mjeku do të paguajnë deri pesë herë më shumë. Sali Berisha u premtoi shërbim më të mirë shëndetësor për t'u marrë votën dhe pasi u mori votën u preu faturën e re të pagesës për çdo vizitë. Ne protestojmë në emër të tyre.Â

I themi hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re për shëndetësinë. Për t'i dhënë fund sistemit të falimentuar të sigurimeve dhe për të hapur epokën e sistemit shëndetësor universal. Për një shtet që ata që s'kanë nuk i le pas derës së spitalit, po u hap derën e Shërbimit Kombëtar Shëndetësor.

***

Ju kujtohet me siguri se sa herë ne e paralajmëruam Sali Berishën prej kohësh duke i thirrur publikisht të merrte masa antikrizë për të mbrojtur popullin, jo të bënte rrush e kumbulla paratë e popullit për të mbledhur votat për veten e tij.

Fatkeqësisht, Sali Berisha nuk e dëgjoi as kambanën tonë dhe as kambanën e Fondit Monetar Ndërkombëtar. E fshehu krizën dhe i zhyti të gjithë në borxhin ekonomik që sot po troket në të gjitha dyert, duke bërë shpenzime të shfrenuara para e gjatë fushatës elektorale dhe duke e lënë vendin në rënie të lirë vetëm që të rrinte vetë në majën ku ka mbetur si gjel deti mbi kutinë e mbyllur të zgjedhjeve.

Atyre që i mblodhi përdhunisht në Sheshin "Skënderbej", me urdhra të paligjshëm drejtorësh e lista apelesh si ato të konvikteve të Enverit, me autobusë e trena nga të katër anët, duke bërë tym katër milionë euro për të bërë gjysmë ore miting kundër opozitës, sot ky gjel deti që s'vlen më për asgjë u merr lekët e Vitit të Ri nga xhepi sepse e ka bërë def arkën e shtetit për pushtetin e tij.

U merr edhe shpërblimin e merituar sa një rrogë për punën që kanë bërë një vit dhe u fryhet me pompozitet duke u zgjatur një lëmoshë pasi u ka premtuar njëmijë dhurata marramendëse kur u mori votën. Marrëzia e tij për pushtet të përjetshëm e për para të madhe përmes korruptimit të pushtetit, ia ka shterur fuqitë ekonomisë shqiptare dhe ka provokuar një rënie agresive ekonomike, që me ndihmën e Zotit, mos ngjaftë kurrë me ç'ka hequr ky vend kur ra nga fiku Saliu i Parë.

Viti 2009 po mbyllet si mos më keq, por si kurrë më keq në më shumë se dhjetë vjetët e fundit, po fillon Viti i Ri, ndërkohë që leku ka njohur zhvlerësimin më të madh pas më shumë se dhjetë vitesh, duke vepruar si një taksë e fshehtë mbi çdo njeri që fut dorën në xhep.

Ky zhvlerësim i lekut do të vazhdojë edhe në vitin 2010, kur shqiptarët do të ballafaqohen drejtpërdrejt me një rritje të mëtejshme të çmimit të jetesës, në çdo hap, në faturën e energjisë, në faturën e ushqimeve, në faturën e vizitave shëndetësore e të ilaçeve, në faturën e arsimimit të fëmijëve. E dini miqtë e mi çfarë thonë shifrat e Eurostatit, ato të vërtetat, të Europës, jo gënjeshtrat e Instatit të Saliut, për fuqinë blerëse të shqiptarëve? Më e ulëta në Europë, 26 %. Po jo më e ulëta krahasuar me Gjermaninë e me Francën, po më e ulëta krahasuar edhe me Bosnjën, që e ka 30%. 800 mijë shqiptarët e pasiguruar për shkak se nuk janë në marrëdhënie pune, do t'u duhet të paguajnë sa herë të trokasin tek mjeku i familjes 10 mijë lek. Tek mjeku specialist i Poliklinikës 15 mijë lek. Sa herë të kapërcejnë pragun e spitalit rajonal për një vizitë 20 mijë lek. Sa herë të shkojnë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës 30 mijë lek.

A ju kujtohet Sali Berisha kur doli pas zgjedhjeve në një nga ato mitingjet që bën çdo javë në sallën e mbledhjeve të qeverisë dhe u tha nënave me barrëlindje, "Mos u mërzisni që nuk fituan socialistët, do t'ua heq unë barrën e rëndë të mospërfitimit nga barrëlindja. Asnjë nënë shtatzënë nuk do të jetë e detyruar të punojë për të jetuar apo të paguajë për vizitat mjekësore". Vendim qeverie tha. Por në fakt, e ka shtuar, duke shtuar numrin e nënave shtatzënë që nuk do të shohin dot më gjendjen e bebes në bark për shkak të varfërisë.

10 mijë lek (minimumi se ka edhe 15 mijë lek) janë një shifër e papërballueshme, jo vetëm për një grua të re të papunë në një familje që jeton me ndihmë ekonomike. Por edhe për shumë gra të tjera pa sigurime shëndetësore në këtë vend. Ne protestojmë sot në emër të të gjitha nënave me fëmijë në bark duke i thënë Sali Berishës hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re për nënat që nuk përfitojnë asgjë nga barrëlindja. Për të bërë të mundur që asnjë nënë që nuk përfiton dot nga barrëlindja për shkak të varfërisë, të mos jetë e detyruar të punojë. As të paguajë. E njëjta gjë për librat e shkollës së fëmijëve për shumë familje, ndërkohë që analfabetizmi rritet përditë si pasqyrë turpi për politikën e këtyre 19 vjetëve dhe për qeverinë e këtyre njerëzve që prej 19 vjetësh mbushin ekranet e gazetat me baltën e me mllefin e injorancës. Nuk bëhet fjalë, tha përpara zgjedhjeve gjeli i detit majë plehut të qeverisë, që të blejnë të varfrit abetaren e librat e shkollës, gënjen opozita. Pastaj kur doli që opozita nuk gënjente, premtoi se do t'i bënte falas librat e arsimit të detyruar, por sot e gjithë ditën shtohet numri i fëmijëve që për shkak të varfërisë nuk shkojnë në shkollë se nuk blejnë dot librat. Ne protestojmë në emër të të gjithë fëmijëve që s'kanë abetare sepse prindërit e tyre s'ua blejnë dot dhe të të gjithë prindërve që nuk çojnë dot fëmijët në shkollë. I themi Sali Berishës hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti fshihet vendimi i popullit për një politikë të re për arsimin. Për abetare falas dhe luftë frontale kundër analfabetizmit. Për arsimim jo për çedukim.

Rënia e hyrjeve të valutës paralajmëron kohë të zymta pas Vitit të Ri, sidomos për mbi gjysmën e familjeve te varfra, në fshat a në qytet, që kanë si mbështetje jetike dërgesat e emigranteve, të cilat do të bien edhe më shumë vitin që vjen. Ç'do të ndodhë me këto familje? Ç'do të ndodhë në fshatin e braktisur në mëshirën e fatit të vet ku s'ka asnjë projekt serioz zhvillimi, ku toka s'është ende e regjistruar dhe më të shumtit s'kanë ende certifikatë pronësie, ku s'bëhet fjalë për treg të tokës dhe ku s'ka shans të kthejë sytë ky pushtet i grabitur që po grabit gjithçka?

Ç'do të ndodhë me bujqit e fermerët dy të tretat e të cilëve, sipas vetë ministrit të bujqësisë, nuk nxjerrin dot prodhimin e tyre në treg? Viti i Ri nuk ka asgjë të re për fshatin e dëshpëruar shqiptar. Bujqit e fermerët e këtij vendi do të vazhdojnë të jenë skllevërit e një politike që u vjedh votën, u blen votën, u fsheh votën dhe në fund u jep vetëm shqelmin.

Sali Berisha u premtoi parajsën dhe pasi u mori votën vetëm u ndërroi Gjanën me Rulin. Ku ishit asgjëkund, ku do shkoni mos e pyet. I themi hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti fshihet vendimi i popullit sovran për një politikë të re për fshatin. Për një ministri të posaçme të zhvillimit rural. Për bujq e fermerë që të mos jenë më jetimë nën qiell të hapur, pa shtet, pa pronë, pa fitim.Â

Viti 2009 po mbyllet me krizë dhe vitit 2010 po hapet me krizë. Hap kutitë ose largohu Sali Berisha, sepse këtë krizë e solle ti dhe nuk duhet ta paguajë një popull i tërë. Protesta jonë për hapjen e kutive është vullneti ynë për t'i dhënë fund krizës së demokracisë dhe rrënimit të ekonomisë për shkak të pushtetit të një njeriu që e ka bërë familjen e tij qeveri dhe politikën neveri.Â

Kutia e mbyllur e 28 qershorit është kutia ku ky njeri mund të fshehë forcërisht votën e popullit, nuk mund fshehë krizën ekonomike që e mohoi dhe e nxori jashtë kontrollit për të kontrolluar me pahir pushtetin politik dhe ekonomik të këtij vendi.Â

Ky pushtet e ndan përditë Shqipërinë me gjuhën e urrejtjes për opozitën. Opozita do ta bëjë 2010-ën vitin e ndarjes së Shqipërisë me këtë pushtet. Ky pushtet që e ka kthyer parlamentin në skenën e shthurjes së turpshme të gjuhës, ku bëjnë paradë gojët e përdala të shërbëtorëve të Sali Berishës dhe ku Sali Berisha duartrokitet për sharjet me libër shtëpie të opozitës, ka filluar të shpërndajë së fundmi ftesa për dialog.Â

Por, pa ndaluar asnjë dekikë të sharat e të palarat e gjuhës së nxjerrë marrëzisht në mexhelis. Na thonë çdo ditë mafiozë e perversë, na bëjnë terroristë e na lidhin me botën e krimit, na shkelin mbi varrin e familjarë tanë e na hedhin baltë si torturues të fëmijëve tanë. Dhe ndërkohë, më e bukura, na ftojnë në parlamentin e kutive të mbyllura e na kërkojnë dialog për të mirën e vendit, që siç e shihni po u dhimbset shumë tani që karrigia po u zhytet në qelbin shpërthyes të ekonomisë së gangrenizuar nga korrupsioni, borxhet e Saliut të bëra litar në fytin e popullit dhe shpenzimet e shfrenuara për t'i marrë votat popullit me shirita si Kalimash.Â

Dialog? Po. Por më parë të marrin mbrapsht akuzat e turpshme dhe shpifjet monstruoze ndaj opozitës. Â

Dialog? Po. Por më parë të hapin kutinë e mbyllur të të dhënave reale e të realitetit të plagëve të ekonomisë, duke filluar nga tuneli i Kalimashit, shifrat faktike të shpenzuara deri tani, sasinë e dëmit të shtuar nga shembja, parashikimin fundor të kostos së rrugës dhe, padyshim, nisja e hetimeve për të me një shprehje të qartë vullneti.Â

Dialog? Po. Por më parë të heqin dorë nga kushti i moshapjes së kutive, duke i dhënë fund gënjeshtrës që hapja e kutive bieka në kundërshtim me vendimin e gjykatës. Po vëmë kushte? Jo. Po themi vetëm që dialogu duhet të jetë demokratik, i barabartë, i vërtetë, i hapur për çdo zgjidhje të krizës së rëndë dhe në asnjë mënyrë mjet shpëtimi për një pushtet që hedh lumin e vret kalin. Ashtu siç bëri me zgjedhjet, duke grisur paturpësisht dhe forcërisht ligjin që detyron hapjen e kutive me kërkesë të dy anëtarëve të KQZ-së. Dhe nëse duan vërtet dialog, ta harrojnë se mund ta realizojnë duke u tallur me ndërkombëtarët, se me ne nuk tallen dot më. Â

Ta harrojnë se e realizojnë dialogun duke bërë shfaqje banale urtësie për të larë gojën dhe për të thënë ja, ne duam dialog, po s'do opozita. Jo, nëse duan dialog të krijojnë kushtet për dialog dhe ta harrojnë se mund të ekzistojë ndonjë dialog sa për të rikthyer opozitën në parlament e për të na rifilluar farsën e demokracisë pa liri e të drejta të barabarta për të gjithë, pa institucione të pavarura, pa garanci kushtetuese e ligjore për çdo qytetar të kësaj republike.

Kjo Shqipëri, që nuk garanton as edhe vetë lirinë elementare të votës dhe barazinë përpara votës, e cila pasi numërohet keq dhe shumë keq për llogari të pushtetit të familjes, i fshihet syrit të popullit njësoj si në llumokracitë e shpifura matanë kufijve të Europës ku duam të integrohemi, nuk mund të jetë në vitin 2010 Shqipëria që ëndërruan ata që u vranë e persekutuan për votën e lirë, Shqipëria e parafytyruar prej atyre që dolën njëzet vjet më parë në rrugë për votën e lirë, Shqipëria e çdo shqiptari që lirinë e votës nuk e fal dhe as e shet tek pushteti i radhës.Â

Ne do ta bëjmë vitin 2010 vitin e lirisë së votës dhe do të protestojmë pa pushim për largimin e këtij pushteti që votën e lirë e grabit dhe e burgos në kuti të mbyllura forcërisht. Sali Berisha ka humbur të drejtën për ta qeverisur Shqipërinë jo vetëm sepse ka grabitur votat, por edhe sepse ka ndaluar, forcërisht, hapjen e kutive të votimit ku mban peng ëndrrat, shpresat, të ardhmen e shqiptarëve dhe thellon çdo ditë krizën në ekonominë e tyre. Â

Opozitën e ka dhe do ta ketë përballë, çdo ditë më të vendosur e më të bashkuar se kurrë, për t'i dhënë fund kësaj shfaqjeje të pistë 20 vjeçare, që u ka nxjerrë shqiptarëve nga qejfi vendin e tyre, që u ka poshtëruar traditën e tyre, që u ka dhënë shembullin më të shëmtuar kalamajve të tyre, që u ka neveritur politikën megjithë televizor.

Jemi në këtë betejë për t'i dhënë fund kësaj komedie që Sali Berisha luan i hipur mbi kurrizin e popullit bashkë me gjojadosjet e tij prej njëzet vjetësh. A ju kujtohet çfarë tha, duke u zgërdhirë, për tërë të këqijat që i kishte nxjerrë goja vite të tëra kundër Fatos Nanos, Ilir Metës apo rulëve, imamëve e xhuvelëve, kur i ktheu të tërë në cingije për ahengun e pushtetit të tij? Kjo ishte loja tha, s'kam faj unë po ju që e morët lojën seriozisht! Domethënë loja vazhdon, mafioz e i zi blozë kush i del përballë këtij farë burri, shtetar e deli djalë kush i ulet në prehër si kukull kineze që flet sapo Saliu e kap nga faqet.

Mjaft më me këtë lojë që e ka bërë politikën neveri dhe mjaft më me këtë politikë që bën lojë me shqiptarët. Â

Hap kutitë ose largohu Sali Berisha. Përderisa kutitë nuk hapen ne s'do presim që Shqipëria të ribjerë në greminë, po do protestojmë për të larguar qeverinë. Deri në fund. Â

Deri në largimin e Sali Berishës nga detyra që shpërdoron prej kohësh, duke u faturuar padrejtësisht shqiptarëve çmimin e papërballueshëm të Vitit të Ri 2010.Â

Deri në ditën e lirisë së vërtetë të zgjedhjeve dhe të së vërtetës së lirë të popullit sovran.

(*) Përmbledhje nga fjala e mbajtur në tubimet e PS në Fier dhe në Vlorë

KOMENTE