Kopenhagen, 18 dhjetor NOA - Qëndrimin në Kopenhagë, ku po merr pjesë në Samitin për Ndryshimet Klimatike, kryeministri, Sali Berisha e ka shfrytëzuar për të lobuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Në një prononcim për mediat, Kryeministri Berisha ka folur rreth diskutimeve dhe qëndrimit të Shqipërisë në punimet e Samitit.
Në deklaratën e tij, Berisha shprehet se qëllimi i tij kryesor ishte të paraqiste Strategjinë e Shqipërisë për t'u shndërruar në një superfuqi të vogël rajonale të energjisë së rinovueshme. "Unë mendoj se të dhënat dhe shifrat që unë paraqita patën një impakt thellësisht pozitiv, pasi nuk u mora me asnjë retorikë, por me projekte konkrete ku unë i bëra thirrje vendeve të pasura dhe institucioneve financiare të botës që të mbështesin sektorin privat të Shqipërisë për shndërrimin e saj në një superfuqi të vogël të energjisë së ‘gjelbër'", u shpreh Kryeministri Berisha.
Për sa i përket takimeve dypalëshe të zhvilluara me liderë nga vende të ndryshme të botës, të pranishëm në këtë Samit, kreu i qeverisë u shpreh se vend kryesor në këto takime zuri çështja e Kosovës.
"Këtu një qëllim më madhor është që të loboj për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Fatmirësisht, në këtë aktivitet është shumë e lartë pjesëmarrja nga të gjitha kontinentet. Takova Presidentë dhe Kryeministra nga katërmbëdhjetë vendeve të Afrikës dhe Azisë, takova Presidentin e Indonezisë, atë të Gaborit, të Kiribatit, të Izraelit, Kryeministrat e Mongolisë, Gambias, Tajlandës, Marokut, Trinidadit, si dhe një seri kryetarësh shtetesh dhe Kryeministrash të tjerë. Jam përpjekur në të gjitha këto raste të paraqes çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës si një kontribut real të këtyre vendeve për stabilitetin dhe paqen në rajonin tonë. Mund të them me përgjegjësi të plotë se situate nga shtatori, kur u zhvillua Samiti i OKB e deri më sot, për Kosovën është shumë më e favorshme" deklaroi Berisha.
Berisha u shpreh optimist se do të ketë njohje të reja, duke shtuar se pati përfaqësues të këtyre vendeve që siguruan se ata janë të gatshëm të vendosin menjëherë kontaktet me autoritetet më të larta të Kosovës.
k.k/NOA
Â