English

Policia e armatosur dhe ushtria e çarmatosur

Pushteti serb, gjatë sundimit të tij në Kosovë, kishte armë më shumë sesa ka sot EULEX-i dhe SHPK-ja, por, populli i Kosovës nuk reshti së shprehuri vullnetin e tij politik nëpër demonstrata. Prandaj as tani, populli shqiptar nuk u frikësohet përforcimeve të policisë dhe propagandave të saj

Vlorian Mollicaj

Kur politikanët tonë negocionin me Serbinë për statusin e Kosovës (dhe si rezultat i këtyre negociatave pranuan Planin e Ahtisaarit, i cili Kosovës ia ndalon krijimin e ushtrisë, duke ia lejuar vetëm krijimin e një force të sigurisë e cila nuk është ushtri), thonin se Kosova do të ketë ushtri dhe se ushtria e saj është Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Pas shpërbërjes së UÇK-së në TMK, nga kjo e fundit u krijua FSK-ja e cila tashmë shihet qartë që nuk është ushtri. Ushtria e çdo vendi ka për detyrë mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, por këtë detyrë nuk e ka FSK-ja, sepse këtë funksion ia pamundëson Plani i Ahtisaarit. Detyra të FSK-së janë asgjësimi i mjeteve shpërthyese, reagimi ndaj krizave dhe mbrojtja civile, detyra këto të cilat i kishte edhe TMK-ja.

Armatimi i cili i lejohet FSK-së që të përdorë është armatim i lehtë. FSK-së nuk i lejohet që të ketë artileri, tanke etj. armatim të cilin e ka çdo ushtri tjetër e botës.

Në çdo shtet i cili është i pavarur, numri i ushtrisë është shumë më i madh sesa numri i policies, ndërsa në Kosovë ndodh pikërisht e kundërta. Në Kosovë numri i pjestarëve të FSK-së është 2.500 aktivë dhe 800 rezervistë. Në anën tjetër, numri i pjestarëve të ushtrisë serbe është 70.000 ushtarë aktivë dhe 30.000 rezervistë. Pra shihet qartë që FSK-ja nuk është ushtri, por një forcë e cila do të plotësojë policinë në aspekte të sigurisë kur ajo nuk është e aftë t'i kryejë plotësisht detyrat e veta.

Në vend që të blihen armë për FSK-në, po blihen armë për SHPK-në. Zëdhënës të Policisë së Kosovës njoftuan se brenda vitit ky institucion do të blejë dy autoblinda dhe një makinë e ujit, e cila do të përdoret për shpërndarjen e turmës gjatë demonstratave të ndryshme. FSK-ja ende nuk ka autoblinda, madje as që është në plan që të blihen autoblinda për të. Në asnjë vend të pavarur nuk policia nuk është më e armatosur sesa ushtria. Dhe ky është një tregues i sigurt se FSK-ja nuk është ushtri.

Nga kjo shihet qartë që pushtetarët tonë në bashkpunim me EULEX-in po e forcojnë policinë, për arsye se ia kanë frikën popullit. Ata e dinë që shumë shpejt populli do të dalë në rrugë që të demonstroj kundër padrejtësive që po i bëhen nga ana e tyre. Për këtë arsye ata po e përgatisin policinë, duke i blerë mjete, në mënyrë që kur të ndodhë një gjë e tillë, të jenë të gatshëm që ta shpërndajnë popullin dhe që të mos e lënë popullin t'i mbrojë të drejtat e tij.

Pushteti serb, gjatë sundimit të tij në Kosovë, kishte armë më shumë sesa ka sot EULEX-i dhe SHPK-ja, por, populli i Kosovës nuk reshti së shprehuri vullnetin e tij politik nëpër demonstrata. Prandaj as tani, populli shqiptar nuk u frikësohet përforcimeve të policisë dhe propagandave të saj. Ai nuk do të ndalet së shprehuri vullnetin dhe do të kërkojë vetëvendosje deri në arritjen e saj.

KOMENTE