Shkup, 18 dhjetor, NOA - Maqedonia po shkon drejt izolimit dhe kjo i ngjan politikës së izolimit të udhëhequr nga ish-diktatori serb Sllobodan Millosheviç, ndërsa sot gati këtij atributi po i ofrohet edhe kryeministri aktual Nikolla Gruevski, i cili gëzon pushtet absolut dhe të kontrolluar, me një opozitë të dobësuar.
Këto vlerësime jepen nga analistë dhe ekspertë të çështjeve politike, ndërsa lidhur me këtë një mesazh edhe më negativ vjen nga Brukseli, ku Shkupi nuk do të jetë në fokusin e interesit deri në vitin 2012.
Programi i punës i BE-së i miratuar për 18 muajt e ardhshëm të agjendës së saj ka lënë të margjinalizuar Maqedoninë, duke mos e vënë fare në fazën e prioriteteve të para. Në dokumentin e miratuar prej 80 faqeve për Ballkanin, lidhur me Maqedoninë përmendet vetëm paragrafI i shkurtër se "Do të ndiqet aplikimi për anëtarësim i FYROM-it". Asgjë tjetër nuk është thënë dhe kjo ka shtuar edhe reagimet e analistëve dhe ekspertëve për çështje ndërkombëtare, të cilët theksojnë se në rast se nuk shfrytëzohet periudha gjashtë mujore për zgjidhjen e emrit, atëherë Maqedonia do të shkojë drejt izolimit, identike me periudhën e regjimit të Sllobodan Millosheviçit në Serbi. Analistët politik nuk përjashtojnë faktin se drejt një roli të tij po shkon edhe kryeministri Nikolla Gruevski. Ish-ministri i jashtëm dhe eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Denko Malevski ka theksuar se mendon se ka rrezik që vendi të futet në izolim dhe rreziqe të paparashikueshme. "Ekziston rreziku që energjia e fokusuar për reforma dhe anëtarësim në BE dhe NATO do të rrënohet dhe do të na largojë nga qëllimet strategjike. Në rast se gjatë gjashtë muajve nuk realizojmë këto synime, atëherë disa nga aktorët e mëdhenj ndërkombëtarë do të jenë nervoz dhe të padurueshëm. Andaj duhet të përmbahemi kursit dhe të tejkalojmë të gjitha kontestet dhe mosmarrëveshjet, sidomos kontesti kryesor për emrin me Greqinë", ka theksuar profesori Malevski, duke paralajmëruar eskalimin e tensioneve dhe problemeve të brendshme. Ligjëruesi universitar, Jeton Shasivari thekson se VMRO-DPMNE e ka të qartë se vendi po shkon drejt izolimit dhe se situata e fundit po shkon në favor të saj, por që sipas tij, do të jetë më pasoja katastrofale për vendin.
"Pushteti aktual po vazhdon retorikën pseudo-patriotike dhe po tregohet e shurdhër ndaj mesazheve që vijnë nga Brukseli. Kështu që nëse edhe në këtë periudhë gjashtë mujore nuk do të ketë zgjidhje për emrin, atëherë do të pasojë një periudhë e status quos, e cila do të jetë në interes të VMRO-së, të cilën do të përbëjë një moment mjaft kritik për ardhmërinë e vendit. Është momenti i fundit që BE të ndërrmarë masa dhe ti bëjë disa sanksionime dhe restrikcione Qeverisë së Maqedonisë", ka theksuar Shasivari. Edhe analisti politik, Ibrahim Mehmeti nënvizon mungesën e optimizmit për periudhën e afërt për të ardhmen evroatlantike të Maqedonisë. "Unë mendoj se reagimi i Qeverisë dhe kryeministrit lidhur me gjithë këtë që po ndodhë dhe qëllimit të procesit të negociatave për integrim për BE nuk lënë ndonjë hapësirë për ndonjë optimizëm për zgjidhje, e cila do të mundësojë fillimin e negociatave. Pavarësisht se çfarë mesazhe vijnë nga Brukseli dhe Uashingtoni, ato nuk hasin në adresën e vërtetë, sepse Qeveria vazhdon ta largojë vendin nga proceset evroatlantike", ka theksuar analisti Mehmeti.
NOA-INA