Tiranë, 18 dhjetor NOA - Besnik Baraj, deputeti i Partisë Socialiste i ka bërë thirrje publike sot kryeministrit, Sali Berisha të japë shpërblimet ose të largohet.
"107 mijë shqiptar, nëpunës të administratës civile, kanë marrë këto ditë lajm të keq nga Sali Berisha dhe Ridvan Bode.
Pasi pamë teatrin e radhës mes këtyre dy personazheve, ku kryeministri dhe ministri i Financave takoheshin për të diskutuar mbi mundësinë e dhënies së shpërblimeve, rezultati mbetet i njëjtë.
Këtë dhjetor nëpunësit e administratës civile, mësues, mjek, policë, ekonomist, jurist, punonjës të administratës qendrore e vendore, ndryshe nga vitet e tjera, nuk do të mund të marrin as shpërblimin e merituar, madje as rrogën e dhjetorit" tha Baraj.
Baraj i bëri thirrje Berishës të japë shpërblimet, të paguajë rrogat ose të largohet.
"Mjaft luajte me problemet dhe hallet e shqiptarëve. Mjaft ua rëndove shqiptarëve edhe më shumë krizën ekonomike duke iu shtrenjtuar energjinë dhe rritur çmimet.
Jep shpërblimet ose largohu!
Mjaft fole për rritje ekonomike ndërkohë që çdo shqiptar e ndien përkeqësimin e varfërisë dhe shtimin e papunësisë. Jep shpërblimet ose largohu!
Jepu 107 mijë nëpunësve të administratës civile atë që meritojnë. Në këtë prag fundviti, jep shpërblimet, paguaj rrogat, ose përndryshe largohu, bashkë me ministrin tënd të piramidave dhe kutitë që mban peng" përfundoi deputeti socialist.
k.k/NOA
Â
Â