Tiranë, 18 dhjetor NOA - Teatri Kombëtar do t'i rikthehet veprave të mëdha të dramaturgjisë botërore.Â
Dy premierat që Bordi ka miratuar janë veprat "Elektra" dhe "Hamleti".
Sipas drejtorit të këtij institucioni, Kristaq Skrami, këto do të jenë sfidat e sezonit teatror në vazhdimësi.
Regjisori i shfaqjes "Elektra" do të jetë Adonis Filipi, ndërsa në rolin e Elektrës aktorja e mirënjohur Luiza Xhuvani.
Pas një ndërprerje të shkurtër për shkak të angazhimit të saj në politikë, aktorja tregon se "Asnjëherë nuk e kam menduar veten të shkëputur nga skena".Â
Në këtë tragjedi të Sofokliut flitet se do të rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar artistja e skenës shqiptare, Roza Anagnosti, në rolin e nënës, Klitemnestrës.
Në role të tjera, (ende në proces përzgjedhjeje nga regjisori) mendohet aktori Laert Vasili, për zbërthimin e personazhit të Orestit dhe shumë aktore të reja të Teatrit Kombëtar që do të interpretojnë vajtojcat e korit të Sofokliut.
Në planet e tjera të teatrit Kombëtar është menduar për vitin 2010 rihapja e Konkursit Mbarëkombëtar të Dramës shqipe dhe pjesëmarrja në Festivalin Teatror të Visbadenit, Gjermani.
m.s/NOA