Tiranë, 18 dhjetor NOA - Policia rrugore ka gjobitur gjatë 24 orëve të fundit në Tiranë, 143 drejtues mjetesh pasi shkelën rregullat e qarkullimit.
Policia e kryeqytetit po vazhdon ende aksionin kundër shoferëve debitorë dhe shkelësve të kodit rrugor.
Gjatë ditës së djeshme, janë ndërmarrë kontrolle dhe masa ndëshkuese ku janë pezulluar për mos shlyerje të detyrime 20 leje qarkullimi të automjeteve.
Nga shlyerja e detyrimeve që rrjedhin nga kundavajtjet administrative, u arkëtuan nga posta Shqiptare 245 masa administrative të likuiduara nga drejtuesit e mjeteve.
"Shërbimet e Policisë së Tiranës do të vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore.
Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës" thuhej në deklaratën për shtyp lëshuar sot nga policia e kryeqytetit.
Kështu, vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Qarkun e Tiranës nga shërbimet e policisë janë vendosur 143 gjoba dhe janë pezulluar 7 leje drejtimi.
k.k/NOA