English

AMC u gjendet pranë fëmijëve pa familje dhe të moshuarve të vetmuar

Tiranë, 19 Dhjetor NOA - Kompania celulare AMC, ashtu si çdo fundvit, do të jetë pranë fëmijëve të braktisur dhe të moshuarve të vetmuar. Atmosfera festive dhe e ngrohtë e krishtlindjeve dhe Vitit të ri, do të jetë e tillë edhe për banorët e Shtëpive të Foshnjës, Fëmijës dhe atyre të Moshuarve në të gjithë Shqipërinë, nga Shkodra deri në Sarandë. AMC përveç dhuratave për fëmijët dhe të moshuarit si dhe organizimin e darkave festive, do të kujdeset edhe për nevojat e veçanta të vetë institucioneve, për krijimin e kushteve sa më të mira të jetesës së banorëve të tyre.

Drejtues dhe punonjës të AMC, do të festojnë gjatë këtyre ditëve së bashku me fëmijët jetimë dhe të moshuarit e vetmuar të pesë shtëpive të foshnjës, pesë shtëpive të fëmijës dhe shtatë qendrave për të moshuarit në të gjithë vendin.

Kështu, grupi i AMC i krijuar për këtë qëllim ishte sot pranë fëmijëve të Shtëpisë së Foshnjës në Tiranë, për tu kujdesur dhe luajtur me ta.

Pjesëtar i këtij grupi ishte edhe drejtori ekzekutiv i AMC, z. Stefanos Oktapodas. "Ne jemi sot këtu,- u shpreh z. Oktapodas, -Â jo vetëm për t'i gëzuar me dhuratat e fundviti por edhe për të qëndruar e luajtur me ta, gjë për të cilën fëmijët e kësaj moshe kanë aq shumë nevojë".

Dhe ju premtoj, - vijoi z.Oktapodas, - se këtë gjë unë dhe punonjësit e AMC do ta bëjmë shumë më shpesh gjatë vitit 2010, për të rritur në këtë mënyrë përgjegjshmërinë qytetare për shërbime në dobi të komunitetit.

Ne, gjithashtu, vijoi z. Oktapodas, - do të mbështesim me të njëjtin përkushtim përmirësimin e kushteve të jetesës së këtyre fëmijëve."

Drejtuesit e këtij institucioni falenderuan z. Oktapodas dhe AMC për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Shtëpisë së Foshnjës Tiranë si me dhuratat e përvitshme gjatë festave ashtu edhe me pajisje dhe materiale që përmirësojnë jetën e vogëlushëve.

Grupi i AMC do të vizitojë në ditët në vazhdim Shtëpitë e Foshnjës dhe të Fëmijëve në Tiranë Durrës, Shkodër Vlorë, Sarandë, dhe Korçë.

Gjithashtu një vëmendje e veçantë do ti kushtohet edhe të moshuarve në qendrat e Tiranës, Shkodrës, Kavajës, Fierit, Gjirokastrës dhe Sarandës.

Si çdo fundvit, AMC do të jetë gjithashtu edhe pranë fëmijëve të policëve të rënë në krye të detyrës. Në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, AMC do të organizojë mbrëmjen festive posaçërisht për ta, plot me surpriza e dhurata.

AMC ka përfshirë parimet e përgjegjësisë sociale në të gjitha strategjitë e saj, duke qenë gjithmonë pranë komunitetit dhe shtresave në nevojë. Edhe gjatë vitit 2010 AMC do të vazhdojë të japë kontributin e saj të gjithanshëm si në projekte sociale, ashtu edhe në aktivitete të ndryshme në vend.

e.r/NOA

KOMENTE