Kryeministri i bëri deklarata ndërsa mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të qendrës tregtare "City Park"
Tiranë, 19 Dhjetor NOA - Kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm sot në ceremoninë e inaugurimit të qendrës tregtare dhe argëtuese "City Park", ku përshëndeti investitorët, të cilët siç tha, bënë të mundur ndërtimin e një qendre të tillë tregtare dhe argëtuese, një nga investimet më të mëdha në Shqipëri dhe ndër më të mëdhatë të rajon.
Berisha shfrytëzoi rastin të hedhë romuze ndaj kryesocialistit Rama: ‘Ftoj edhe ndonjërin që ëndrrat e natës i merr për realitetin e ditës të vijë këtu, të pijë ndonjë kafe dhe të shohë që kriza është thjesht një ëndërr e keqe nate, sepse ditën Shqipëria vetëm zhvillohet, inauguron qendra të tilla të fuqishme, thith investime të huaja".
***
Berisha përmendi se ky është një investim prej 80 milionë eurosh dhe punëson sot rreth 2000 punonjës, por ka një projekt në të cilin synon që të arrijë në 210 milionë euro, të kompletohet me një zonë të bukur rezidenciale, me një hotel modern, me një ekspozitë permanente të veçuar si ndër më të mirat.
***
Duke folur për gjendjen ekonomike në vend, Berisha tha se janë politikat fiskale dhe reformat e thella ekonomike që qeveria shqiptare ka ndërmarrë dhe ndërmerr, të cilat garantojnë suksesin e vërtetë të investimeve të tilla.
"Ekonomia shqiptare qëndron në këto vite të një cunami të vërtetë financiar dhe ekonomik për Evropën dhe botën. Ajo qëndroi jo se ishte e izoluar, jo se ishte e centralizuar, por qëndroi sepse ishte e mbështetur në parimet më të shëndosha për tregun: me taksa të ulëta, investime të mëdha, administratë të vogël', - tha Berisha.
e.r/NOA