English

Marrëveshja për klimën, Obama optimist dhe pse e mangët. Sarkozi: Jam i zhgënjyer

Kopenhagen, 19 dhjetor, NOA - Marrëveshja e arritur mes vendeve në konferencën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ndryshimin e klimës nuk ka lënë shije të mirë tek drejtuesit botërorë, edhe pse ata janë shprehur për respektimin e saj.

Presidenti amerikan Barak Obama nga ana e tij e ka cilësuar si mjaft domethënëse këtë marrëveshje, ndërsa presidenti francez, Sarkozi do të shprehej se ndihej i zhgënjyer nga mosarritja e qëllimit të saj.

"Për herë të parë në histori, të gjitha ekonomitë e mëdha janë bashkuar për të pranuar përgjegjësinë dhe për të marrë masa për t'u përballur me kërcënimin e ndryshimit të klimës", tha Obama edhe pse negociatat mes shteteve ngecën pas mosmarrëveshjeve mbi përpjekjet për reduktimin e çlirimit të gazeve që shkaktojnë efektin serë, verifikimin dhe financimin.

Nga ana tjetër, kryeministri britanik Gordon Braun e quajti një hap të mirë fillestar, por tha se një traktat me fuqi ligjore duhet të pasojë, kurse kancelarja gjermane Angela Merkel e quajti gjithashtu një hap të parë dhe bëri thirrje për më shumë masa.

Ndërsa Sarkozi, në fjalët e tij, është shprehur shumë i zhgënjyer për mosarritjen e një marrëveshjeje më të plotë.

Sipas tij, samiti duhej të përfundonte me një vendim të përbashkët ku të arrihej marrëveshja për uljen në masën 50 % të masës së dioksidit të karbonit deri në vitin e largët 2050.

"Jam i zhgënjyer nga ajo çka arritëm në këtë samit", është shprehur lidhur me një fakt të tillë, presidenti francez Sarkozy.

n.e/NOA

KOMENTE