English

PS, Xhaçka: Mure të reja janë ngritur në kufijtë e Shqipërisë

Tiranë, 19 Dhjetor NOA - Deputetja e Partisë Socialiste Olta Xhaçka akuzoi sot kryeministrin se po i mban peng shqiptarët, duke e lidhur me faktin që disa vendeve fqinje iu hoqën vizat kurse vendi ynë mbetet në pritje.

"Sot, qytetarët e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi lëvizin pa viza në Bashkimin Europian. Shqiptarët jo. Shqipëria ka mbetur në klasë ndërkohë që Sali Berisha përpiqet ta shesë si sukses faktin se herët a vonë dhe shqiptarët do te lëvizin lirisht në hapësirën shengen por fatkeqësisht për ne ai moment do të vijë vonë. Do të jemi të fundit në Europë", - tha Xhaçka.

Duke theksuar faktin se sot qytetarët e Maqedonisë, Serbisë e Malit të Zi festojnë, kurse ne presim, deputetja shtoi se Shqipëria ka mbetur në klasë dhe sipas saj, ky është faji i Sali Berishës.

"Shqipëria mbeti e fundit dhe për këtë e ka fajin Sali Berisha", tha Xhaçka, duke konsideruar se mure të reja janë ngritur në kufijtë e Shqipërisë.

Sipas saj, shqiptarët kanë mbetur të fundit pasi qeveria e tyre ilegjitime prodhoi krizën politike e ekonomike me paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e tejskajshme që e karakterizon.

"Dhe sot po e fsheh atë mizorisht, duke u mohuar shqiptarëve zgjidhjet ashtu siç u mohoi zgjedhjet e ndershme e qeverinë që përfaqësonte vullnetin e tyre të lirë. Ndaj ne sot i themi Sali Berishës të hapë kutitë e të zbardhe të vërtetën e 28 qershorit, ose të largohet", - ishte thirrja me të cilën përfundoi daljen e saj për mediat, deputetja Xhaçka. e.r/NOA

KOMENTE