English

Samiti i Kopenhagës, miraton me rezerva marrëveshjen për klimën

Kopenhagen, 19 dhjetor, NOA - Samiti i Kopenhagenit i mbajtur për të vendosur rregulla të reja bashkëpunuese mes shteteve për parandalimin e ngrohjes globale, e miratoi marrëveshjen e re për ndryshimet klimaterike. "Konferenca nënshkroi marrëveshjen e Kopenhagenit," thotë deklarata që mbyll punën e 193 vendeve.

Në këtë mënyrë. vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara formalisht e kanë njohur paktin për luftimin e nxehjes globale në konferencën ndërkombëtare në Kopenhagë.

Kjo edhe pse disa vende në zhvillim e kanë refuzuar marrëveshjen e ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Barak Obama dhe liderët e disa vendeve të tjera të zhvilluara. Në vendim do të jepet lista e vendeve që ishin në favor të marrëveshjes dhe ato që ishin kundër saj.

Negociatat për ndryshimet klimatike në konferencën ndërkombëtare në Kopenhagë, që sponzorizohet nga Kombet e Bashkuara, e arritën një pikë të krizës, pasi disa vende në zhvillim me hidhërim e refuzuan planin e ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Barak Obama dhe liderët e vendeve të tjera të zhvilluara ekonomikisht. Disa vende, përfshirë Bolivinë, Venezuelën dhe Sudanin, thanë se marrëveshja për ta luftuar nxehjen globale ishte shumë e butë dhe se ajo në mënyrë jokorrekte ishte përgatitur nga fuqitë kryesore. Por për miratim, marrëveshja duhet të mbështetet në mënyrë unanime nga 193 vendet anëtare të OKB-së.

n.e/NOA

KOMENTE