Korçë, 19 dhjetor, NOA - Persona të pajisur me maska dhe me armë mësohet se kanë vjedhur një sasi prej 120.000 lekësh në pikën e loto-sport "Bet 07" në qytetin e Korçës.
Lajmi bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të këtij qyteti, sipas të cilëve nga veprimet e kryera procedurale rreth ngjarjes është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të saj.
Ata janë Ledion Metollari, 27 vjeç; Gjergji Grazhdani, 24 vjeç dhe Fatjon Karafili, 25 vjeç, që të tre lindur dhe banues në Korçë.
Gjatë arrestimit të tyre u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i një automjeti me targë KO0661B, i përdorur nga autorët për t'u larguar nga vendi i ngjarjes si edhe sasia e vjedhur prej 120 000 lekësh, së bashku me një pistoletë dhe një sasi lënde narkotike e llojit kanabis sativa.
Personat e lartpërmendur akuzohen për veprën penale të "Vjedhjes me armë, e kryer në bashkëpunim", "Prodhim dhe mbajtje e armëve e municioneve luftarake pa leje kryer në bashkëpunim" si dhe "Prodhim dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim", vepra penale të parashikuara këto nga nenet 140 e 25, 278/25 dhe 283 të Kodit Penal.
n.e/NOA