Vlorë, 19 Dhjetor NOA Update - Një vajzë e mitur është zhdukur sot dhe dyshohet të jetë mbytur, pasi rrjedha e lumit që po kalonte me kalë, bashkë me vëllanë, e hodhi poshtë duke i shkaktuar mbytjen. Të gjitha përpjekjet e vëllait dy vjet më të madh dhe ndihma që u përpoq të kërkonte, nuk dhanë rezultat pasi rrjedha e mori të voglën me vete.
Ngjarja, sikundër informon korrespondenti i agjencisë NOA, ka ndodhur sot pasdite rreth orës 16.30, në afërsi të fshatit Gjormë të rrethit Vlorë, ditën e sotme.
Dy fëmijët, E.M., 13 vjeçe dhe vëllai i saj 15 vjeçar, kishin hipur mbi një kalë dhe po shkonin për në shtëpi.
Në një moment kur po kalonin disa metra të lumit Shushicë, në mungesë të urës, kali është trembur nga pjesa e rrëmbyeshme e ujit dhe ka hedhur fëmijët në ujë.
Si rezultat dy fëmijët janë rrezikuar shumë dhe një prej tyre, vajza 13-vjeçare nuk ka arritur të dalë nga lumi pasi rrjedha e ka marrë me vete dhe gjasat janë të jetë mbytur.
Ndërkohë, vëllai i saj 15 vjeçar ka arritur të shpëtojë.
Një grup policor ka shkuar në vendngjarje dhe tha se po përpiqet të gjejë të miturën që dyshohet se është mbytur. Kërkimet vazhduan disa minuta ndërsa pritet të rifillojnë vetëm pasi të zbardhë dita.
Policia tha se po heton rrethanat në të cilat ndodhi mbytja e të miturës dhe dinamikën e minutave fatale.
e.r/NOAÂ