Tiranë, 20 dhjetor NOA - Në Parkun e madh të Tiranës ka nisur sezoni i ri i mbjelljeve të pemëve.
Kryebashkiaku Rama ka lançuar sot fillimin e sezonit të ri të mbjelljeve duke u shprehur: "Me mijëra pemë do t'i shtohen kryeqytetit, duke filluar nga kjo zonë, zona e Parkut e cila është në transformim të vazhdueshëm dhe për të cilin marrim çdo ditë përgëzimet e qytetarëve që u themi se ashtu siç u kemi premtuar, Parku i Liqenit do të bëhet një mushkëri e gjelbër, tërësisht e ripërtërirë e kryeqytetit, në një hapësirë për të gjithë ata që duan të kalojnë kohë pa makina sëbashku me miq, shokë, familjarë, fëmijë, më të moshuar e kështu me radhë".
Punëtorët e Ndërmarrjes së Punëtorëve Nr.1 të qytetit kanë nisur sot një aksion gjelbërimi që i ka shtuar Parkut të Madh të Tiranës plot 300 copë pisha, ndërkohë që do të vijohet me mbjelljen e mimozave dhe kumbullave në ditët në vijim.
Bashkia e Tiranës në procesin e transformimit tërësor dhe rivitalizimit të Parkut të Madh të Liqenit, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë procesit të gjelbërimit, duke e cilësuar Rehabilitimi i Parkut të Madh të Liqenit, përveçse një projekt mjedisor, përfshin ndër të tjera edhe rindërtimin e rrugëve të brendshme, rikompozimin e ndriçimit publik, ripropozimin e të gjithë pasqyrës ujore si dhe një seri projektesh që propozojnë një metodologji e qasje të integruar dhe të re, duke pasur në vëmendje edhe aspekte të tilla si: respektimi i traditës, kulturës lokale, përmirësimin e cilësisë së ambientit, për një qytet të shëndetshëm, për një ajër më të pastër, për një mjedis më të ekuilibruar, pra për një hapësirë dhe një park të standardeve evropiane.
k.k/NOA