FOTOT
Para aksidentit të mbrëmjes së Diel, i ndjeri Lekë Çukaj kishte pësuar edhe një aksident tjetër, po me autoveturë "Benz". Kurse qershorin që shkoi, u zbulua se mbante një granatë në çantë, për vetëmbrojtje
Tiranë, 20 Dhjetor NOA - Ish-deputeti i Partisë Socialiste Lekë Çukaj, ndërroi jetë mbrëmjen e sotme në një aksident rrugor, i dyti brenda katër viteve të fundit për 60-vjeçarin që për disa vite rresht ishte i zgjedhur i popullit për legjislativin shqiptar.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme rreth orës 20:30 në rrugën nacionale Fushë Krujë-Tiranë, thanë për agjencinë e lajmeve NOA, burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Dy autovetura të markës "Benz", njëra me targa të Shkodrës SH 0252 E dhe tjetra (që shihni në foto), me targa të Tiranës TR 8959 A (e drejtuar nga Çukaj), janë përplasur mes tyre, duke shkaktuar dy të vdekur dhe një të plagosur.Viktimat u konfirmuan si ish-deputeti i Partisë Socialiste Lekë Çukaj, lindur më 2 Nëntor 1950, baba i tre fëmijëve, 58-vjeçari Hasan Guci dhe bashkëshortja e tij rreth 55 vjeçe, e cila ka mbetur e plagosur dhe u dërgua në spital në gjendje të rëndë.
Ngushëllimet e Topallit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në emër edhe të Kuvendit të Shqipërisë i shprehu sonte "ngushëllimet më të sinqerta e më të thella" familjes së ish-deputetit Lekë Çukaj, i cili humbi jetën në një aksident tragjik.
"Humbja e jetës në aksident e ish deputetit të Partisë Socialiste, Lekë Çukaj ishte një lajm i hidhur për të gjithë kolegët, dashamirësit, miqtë dhe veçanërisht për familjen e të ndjerit", - thuhet në mesazhin e dhënë pak orë pas ngjarjes, nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Në këto momente të vështira, - vijon mesazhi, - shprehim ngushëllimet për këtë humbje të parakohshme të personit të dashur, fëmijëve, bashkëshortes dhe të afërmeve.
Aksidenti tjetër i Çukajt
Deputeti i Partisë Socialiste, Lekë Çukaj ishte përfshirë edhe në një aksident më parë, kur mbeti i plagosur pa rrezik për jetën.
Ngjarja kishte ndodhur më 30 maj të vitit 2005, kur atëherë deputet i PS, Lekë Çukaj u aksidentuar në orët e natës rreth orës 01.00, me një automjet, në vendin e quajtur "Serat" e Fierit, pranë Urës së Sheqit në Fier, kur po kthehej nga qyteti i Vlorës.
I plagosur, Lekë Çukaj u dërgua në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku mjekët konstatuan fraktura në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, por jashtë rrezikut për jetën.
Sipas policisë lokale të Fierit, deputeti Lekë Çukaj edhe atëherë drejtonte automjet tip "Benz" me targa të Tiranës, i cili ka devijuar nga rruga dhe është përplasur me një mur betoni, që ishte anash këtij aksi rrugor.
Në vendngjarje atëherë shkuan forca të policisë rrugore, të cilët kanë bërë këqyrjen e vendit të aksidentit, duke bërë dhe matjet e duhura për të përcaktuar shkaqet e aksidentit. Shefi i atëhershëm i qarkullimit rrugor në Fier, Viktor Dule, deklaroi se shkaku i aksidentit ishte i drejtuesit të mjetit, i cili kishte devijuar nga rruga dhe kishte humbur përqendrimin në drejtimin e automjetit.
Çukaj, 10 vjet me bombë aktive në çantë
Ish-deputeti nga Malësia e Madhe Lekë Çukaj në muajin qershor të këtij viti, u bë edhe një herë protagonist i lajmeve në media, pasi pranoi në polici se mbante një bombë në çantë që nga viti 1999, siç deklaroi, për vetëmbrojtje.
Granata i ishte gjetur rastësisht, pasi atij i kishte humbur çanta dhe një person (Shkëlqim H., 37 vjeç), e gjeti dhe e dërgoi në polici.
Kur çanta u kontrollua nga uniformat blu në Komisariatin Nr. 3, doli se brenda saj ishte një granatë e montuar. Kur u thirr në polici, ish-deputeti pranoi se e mbante atë granatë në çantë madje tha se këtë gjë e bënte prej afro dhjetë vjetësh.
Ish-mësuesi i lëndës së Fizikës, është shprehur se kishte dhjetë vjet që e mbante granatën me vete, gjatë legjislaturës së viteve 1997-2001, kur ishte zgjedhur për herë të parë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Gjithashtu, ai pranoi se e ka mbajtur granatën edhe gjatë legjislaturës së viteve 2001-2005, kur u zgjodh deputet për herë të dytë.
Babai i tre fëmijëve, ka deklaruar edhe se fillimisht e kishte mbajtur granatën me vete për siguri dhe për vetëmbrojtje, por më pas siç tha, kishte mbetur në çantë dhe nuk ishte bërë mbarë për ta dorëzuar.
Policia atëherë nuk u shpreh nëse kishte vendosur nëse ish-deputeti do të ndiqej penalisht për mbajtjen pa leje të municioneve luftarake, megjithëse dosja iu referua prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
e.r/r.b/NOA
Shënim: Redaksia e Agjencisë Kombëtare të Lajmeve NOA, shpreh ngushëllime të sinqerta për viktimat e aksidentit rrugor dhe bashkohet me dhimbjen e të afërmve të tyre.