Nevojitet urgjentisht krijimi i një grupi i ekspertëve më të mirë në fushën ekonomike dhe financiare, si dhe përfshirja në të edhe e ekspertëve të huaj, për të hartuar një platformë të re privatizimi, për t'i përdorur më mirë burimet e krijuara dhe për të vazhduar me privatizimet tjera
Nga Behxhet Pacolli Raporti mbi ecurinë e privatizimit që Qeveria e Kosovës paraqiti në Parlament ishte një dokument i përpiluar mirë dhe i paqortueshëm. Por, jemi dakord që të gjithë se sot nuk na duhen më dokumente të paqortueshme dhe të përpiluara mirë, por rezultate konkrete. Duhet ta themi që në krye të herës se procesi i privatizimit të pronës publike dhe asaj shoqërore në Kosovë ka dështuar. Ndërmarrjet, apo objektet e privatizuara, nuk i kanë shërbyer qëllimit për të cilin janë privatizuar. Ato nuk kanë gjeneruar as mirëqenie, as zhvillim dhe as punësim. Paratë e grumbulluara prej tyre nuk po përdoren për ekonominë e Kosovës, por mbeten të mbyllura në bankat e huaja, duke interpretuar në mënyrë të ngushtë imponimet e dokumenteve ndërkombëtare për Kosovën. Të mos i shfrytëzosh burimet ekonomike, trashëgiminë e popullit të Kosovës në dhjetëvjeçarët e fundit, kur kemi indekse të ulëta të investimeve të huaja në vend, pra të mos shfrytëzosh atë që e ke gati, djersën e brezave të tërë të kosovarëve - është e pafalshme. Paratë e privatizimeve janë kontributi i brezave më të vjetër për të rinjtë dhe ne duhet të jemi të përgjegjshëm me to. Qëndrimi i Aleancës Kosova e Re për këtë proces vital për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës, për fazën e tretë të zhvillimit të saj, është një qëndrim proaktiv. Ne vazhdimisht jemi marrë me këtë proces, kemi organizuar konferenca ku kemi grumbulluar ajkën e ekspertëve vendorë dhe të huaj, kemi prodhuar dokumente me propozime konkrete që nuk janë marrë në konsideratë. Sot ne po përsërisim qëndrimin tonë të riformuluar në mënyrë më të prerë dhe më të vendosur, më konkret dhe më të qartë për ata që nuk kuptojnë. Ky qëndrim ka në themel sundimin e ligjit, diçka që ka munguar në ecurinë e këtij procesi deri më sot, ashtu edhe siç duket nga problemet e krijuara. Ai mund të shërbejë nëse i referohemi përmasave të ndërhyrjes, si njëlloj Plani Marshall për ekonominë kosovare, për ringjalljen e saj. Për nga globaliteti i ndërhyrjes, për nga pasojat gjallëruese, ai do të mund të krahasohej në mënyrë figurative me planin e famshëm amerikan për ringjalljen e Europës pas luftës. Ja plani ynë në vija të përgjithshme. Nevojitet urgjentisht krijimi i një grupi i ekspertëve më të mirë në fushën ekonomike dhe financiare, si dhe përfshirja në të edhe e ekspertëve të huaj, për të hartuar një platformë të re privatizimi, për t'i përdorur më mirë burimet e krijuara dhe për të vazhduar me privatizimet tjera. Një platformë e tillë nuk do të kërkonte më shumë se 100 mijë euro, në formën e shpenzimeve për ekspertizë. Kjo platformë do të fillonte nga hartimi i një ligji të ri për privatizimin, i cili aktualisht mungon, brenda një periudhe tremujore, jo më shumë. Në themel të këtij ligji duhet parë krijimi një Agjencion që mund ta quajmë Agjencion të gjeneratave të reja, apo nëse doni Agjencion të zhvillimit ekonomik. Ky Agjencion duhet të jetë me natyrë joqeveritare, pra ku Qeveria të mos ketë të drejtë të interferojë, por me ekspertët më të mirë, profesionistët më të mirë të ekonomisë dhe të shoqërisë civile. Ai duhet t'i rishikojë privatizimet e kryera jo më mbi bazën e të shkuarës, domethënë se çfarë të dhënash paraqitën subjektet konkurruese në privatizim, por çfarë mund të bëjnë ato sot për të zhvilluar pronën publike, ose shoqërore, që privatizuan. Nuk është normale që objektet e privatizuara të mos përdoren fare për shkak të pamundësive financiare të atyre që i përfituan ato. Nuk mund të tolerohet që tokat e privatizuara bujqësore të mbeten djerrë dhe Kosova të renditet dhe sot në vendet që e punojnë më pak tokën në rajon. Ne duhet t'i studiojmë gabimet e kryera deri më tani në këtë proces dhe t'i shmangim ato në privatizimet e ardhshme të kompanive publike dhe pronës shoqërore. Ky proces duhet të udhëhiqet jo prej Qeverisë, por pikërisht prej kësaj Agjencie, në formën e një enti të pavarur publik, që i raporton Qeverisë. Ky proces duhet të udhëhiqet në mënyrë profesionale dhe jo politike. Çfarë të bëhet me paratë? Paratë e privatizimeve duhet të kthehen në një numër llogarie speciale dhe të menaxhohen pikërisht nga kjo Agjenci. Ato duhet të shërbejnë si një lloj fondi investimi apo riinvestimi për kompanitë premtuese, por që s'kanë burime financiare për t'i realizuar projektet e tyre të biznesit. Përparësi kanë objektet e privatizuara dhe pronarët e tyre që kanë programe të prekshme investimi, të realizueshme dhe me rezultate të qarta. Synimi është që të prodhojmë sa më shumë punësim, mbi bazën e parimit të efektivitetit ekonomik, të gjenerohen fitime dhe mbi bazën e këtyre fitimeve të paguhen borxhet e marra prej Agjencionit në fjalë. Pra, këto para të përdoren në formën e fondeve të investimit qoftë për blerjen e makinerive të reja, qoftë për lëndë të parë, qoftë për teknologji të reja, apo transfertë "know how" dhe për çfarëdo destinacioni tjetër që i shërben zhvillimit, punësimit, mirëqenies dhe progresit. Duhen nxitur forma të reja privatizimi, apo vënie në punë qoftë me koncesion, qoftë me dhënie në përdorim, qoftë me formën BOT. Ne, si AKR, i kemi idetë e qarta, i kemi burimet njerëzore të afta për të vepruar në këtë drejtim. Nëse nuk veprohet menjëherë, brezat e shkuar nuk do të na e falin. As brezat e rinj për të cilët duhet të punojmë sot që të na e shpërblejnë në të ardhmen, nuk do të na jenë mirënjohës. Kjo lloj ndërhyrjeje është e vështirë për t'u realizuar, sepse kërkon punë dhe vendosmëri. Nëse ne mendojmë vetëm për qytetarin, për interesin e tij dhe jo për interesa të ngushta të momentit, atëherë ai është drejtimi i vetëm në të cilin duhet ecur. Ky është qëndrimi unanim i grupit tonë parlamentar dhe ne kemi besim tek njerëzit e vullnetit të mirë. Nuk kemi pasoja nëse presim dy-tre muaj për dizajnimin e një rruge të tillë, por do të kishim pasoja të pariparueshme nëse do të vazhdonim me improvizime si deri më sot. (*) Autori është kryetar i AKR