English

PS, Braçe: Arka e shtetit bosh, nuk do paguhen rroga në dhjetor

Tiranë, 20 dhjetor NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe ka deklaruar sot para mediave se arka e shtetit është bosh duke dhënë argumente.

"Dje, biznesmeni Sali Berisha tha 2 herë se: "në Shqipëri nuk ka krizë ekonomike".

Dje, zyrtari politik që menaxhon paranë më të madhe në këtë vend, konfirmoi se "nuk do të paguhen rroga në dhjetor dhe se shpërblimet do të jenë përgjysmë."

Për të kjo është "shenjë normaliteti".

Pagesa e rritjes, simbolike, por elektorale të rrogave e pensioneve që në maj, u identifikua nga Kryetari i PD, si arsye për mospagesën e rrogave, pensioneve e reduktimin e shpërblimeve tani. Në maj, ai e quajti sukses pagesën për zgjedhje, në dhjetor po ky e quan sukses mospagesën për festë në çdo familje" tha Braçe.

Sipas tij, për herë të parë pas 6 vitesh, mësues, edukatorë, mjekë, infermierë, ushtarakë, policë, nëpunës të administratës politike qendrore e vendore nuk do të marrin pagën e 13-të, por do e mbyllin vitin me 11 ose 11 paga e gjysmë.

"Në fakt, kjo është shenja më e dukshme e krizës: arka e shtetit është bosh!

Qeverisë i mungojnë edhe pas rishikimit të buxhetit 242 milion dollarë ose mbi 450 milionë dollarë nga programi financiar i fillim vitit.

Kjo nuk është "ëndërr e opozitës", por efekti shkatërrues i keqqeverisjes së shtetit, prej pushtetit politik të Sali Berishës dhe "nën të"-së së tij, Ilir Metës" tha më tej deputeti socialist.

k.k/NOA

KOMENTE