Tiranë, 20 dhjetor NOA - Festa e djeshme e qytetarëve maqedonas, malazez dhe serbë për liberalizimin e vizave, ka detyruar sot opozitën të dalë në deklarata për shtyp për të akuzuar qeverinë si shkaktare që Shqipëria nuk po feston një fakt të tillë, pasi sipas PS-së, qeveria dështoi në përmbushjen e kritereve dhe për këtë duhet tu kërkojë falje shqiptarëve.
Pas deputetit Ditmir Bushati, ka qenë zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj e cila ka akuzuar qeverinë për dështimin.
Imeraj ka reaguar edhe për protestën që u zhvillua para selisë së PS-së duke kërkuar nga Berisha të mos provokojë.
"Dje pamë qytetarët serbë,maqedonas e malazezë që festonin për liberalizimin e vizave, ndërkohë që vendi ynë ka mbetur në klasë, i izoluar në mes të Evropës.
Pinoku Sali Berisha nuk mund ta fshehë dështimin e tij duke sjellë pseudoprotestues tek oborri i shtëpisë së socialistëve, por do të jenë socialistët dhe të gjithë shqiptarët që do të protestojnë para zyrës së tij që i la në izolimin më të pafalshëm.
I themi kryeministrit pinok të mos guxojë më të provokojë në derën e shtëpisë së socialistëve" tha sot Imeraj.
"Ne nuk kemi protestuar përpara shtëpisë së demokratëve por përpara kryeministrisë së Shqipërisë që duhet të mbrojë interesat e shqiptarëve socialistë e demokratë dhe jo të një familjeje në pushtet.
Nëse pinoku kryeministër nuk i duron dot protestat përpara godinës së kryeministrisë kjo është një arsye më shumë që të largohet bashkë me kutitë e mbyllura, ku mban peng integrimin tonë në Evropë.Â
Fati i Shqipërisë s'mund të rrijë më i varur në hundën e gjatë që ka marrë peng kryeministrinë" përfundoi Imeraj.
k.k/NOA