Tiranë, 21 dhjetor NOA - "Kufiri i biznesit të vogël nuk do të zbresë, pragu i biznesit të vogël mbetet deri në 8 milionë lekë qarkullimi vjetor. Së dyti, në mënyrë që të mbrohet biznesi i vogël, të luftohet evazioni, TVSH-ja do të zbresë për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë".
Kështu ka deklaruar sot kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes me deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Berisha deklaroi se ka nisur ndarja e shpërblimeve për punonjësit e administratës ndërsa për pensionistët, Instituti i Sigurimeve Shoqërore disponon të gjithë faturën financiare për të disbursuar gjatë ditëve që vijnë, nëpërmjet postës dhe mënyrave të tjera, shpërblimin për 543 mijë pensionistë të vendit.
"Të gjitha variantet e tjera janë thjesht spekulime ordinere, sepse se çfarë do t'u thonë këta zotërinj 800 mijë familjeve shqiptare, të cilët çdo mëngjes u deklarojnë se nuk do të marrin shpërblimin, në një kohë kur ata po e marrin dhe do t'a marrin, kjo është zgjedhja e tyre. Shqiptarët do t'u thonë që jeni mashtrues dhe mashtrimi dihet, të ul besimin në maksimum" tha Berisha.
"Le të rikthehemi tek seanca e fundit, e cila do të jetë të mërkurën pasdite dhe do të jetë një seancë e rëndësishme. Në këtë seancë ne miratojmë disa ndërhyrje në Kodin e Procedurave Doganore, për të cilat unë dua të qartësoj edhe një herë se nuk do të ketë lëvizje të kufirit të biznesit të vogël. Kufiri ka qenë 8 milionë dhe do të mbetet 8 milionë. Kufiri nuk do të zbresë. Pas disa konsultimeve të gjera, në mënyrë që të mos krijohet asnjë lloj konfuzioni dhe asnjë lloj spekulimi, pragu i biznesit të vogël mbetet deri në 8 milionë lekë qarkullimi vjetor. Ajo ç'ka i gjithë ky biznes do të paguajë, pa asnjë përjashtim, në bashki dhe në komuna është taksa e biznesit të vogël. Ne po shqyrtonim dy variantet dhe njëri ishte që t'ua kompensonim ne, por meqenëse vendosëm të mos lëvizim kufirin e biznesit të vogël, atëherë, në raport me bashkitë dhe komunat situata mbetet pa asnjë ndryshim.
Së dyti, në mënyrë që të mbrohet biznesi i vogël, të luftohet evazioni, TVSH-ja do të zbresë për të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë. Por edhe këtu do të ketë një dallim, në rast se biznesit të madh i kërkohet një rigorozitet i përmuajshëm në të gjitha llogaritjet dhe librat, atëherë këtij biznesi, i cili është sërish i vogël, por që TVSH-ja do të përfshijë të gjitha bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë, do t'u kërkohet diçka më e thjeshtuar. Përndryshe, evazioni nuk mund të luftohet" tha më tej kryeministri duke shtuar se çdo biznes, i cili gjykon se autoriteti tatimor ka arbitraritet në përcaktimin dhe në përzgjedhjen e tij për TVSH-në, është i ftuar të paraqitet, të ankimojë pranë autoritetit tatimor, pranë zëvendësministrit, pranë ministrit e deri tek Kryeministri në telefonin e tij të hapur për mesazhe, sepse në mënyrë absolute kjo që bëhet nuk ka asnjë synim tjetër përveç se mbrojtjes së biznesit të vogël dhe luftës së evazionit.
k.k/NOA