Memaliaj, 21 dhjetor, NOA - Aksi rrugor Fier-Tepelënë është bllokuar mëngjesin e sotëm për shkak të një proteste që janë duke zhvilluar banorët e katër fshatratave të Memaliajt kundër ndërtimit të hidrocentralit të Kalivaçit.
Mësohet se ata kanë dalë në rrugë për të protestuar me pretendimin për kompensim të merituar nga qeveria për tokat e tyre që do të vihen në dispozicion të ndërtimit të kësaj vepre energjetike.
Kjo pasi sipas banorëve të 4 fshatrave, çmimet e përcaktuara nga qeveria realisht për shpronësimin në kuadrin e ngritjes së këtij hidrocentrali, janë të gabuara.
Për këtë, ata kanë kërkuar medoemos që nëse qeveria ka ndër mend ta ndërtojë këtë vepër, të rivlerësojë patjetër çmimet e tokave të tyre për kompensim.
Nga ana tjetër, ata kanë paralajmëruar edhe përshkallëzim të mëtejshëm të protestës së tyre, nëse nga qeveria nuk do të ketë një përgjigje të shpejtë lidhur me kërkesat që ata paraqitën gjatë protestës së sotme, madje kanë kërcënuar edhe me bllokimin e rrugës nacionale Gjirokastër-Fier.
Banorët e fshatrave Lops, Qendër etj, e kanë bllokuar sot këtë rrugë në pikën e Memaliajt me drurë pa lejuar makinat që të kalonin, ndërsa kanë treguar shqetësim për tokat që do të përmbyten nga hidrocentrali.
n.e/NOA
Â