English

Bora ngrin shumë vende të botës, bllokohen mijëra udhëtime me trena dhe avionë

Uashington, 21 dhjetor, NOA - Shumë vende të botës gjenden aktualisht të bllokuara nga masa të ngrira akulli për shkak të reshjeve të dendura apo stuhive të dëborës gjatë ditëve të fundit.

Kështu, një stuhi e madhe ka përfshirë kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara dhe disa qytete verilindore, duke shtruar rreth 40 cm dëborë si dhe duke vështirësuar apo bërë të pamundur udhëtimin e njerëzve nga një zonë në tjetrën.

Në këtë vend, transporti publik, nuk punon në pjesën më të madhe të tij, gjithashtu nuk funksionojnë as stacionet e metrosë të cilat kalojnë mbi tokë.

Ndërkaq, temperaturat nën zero së bashku me borën e madhe që ka rënë kanë shkaktuar kaos në trafik në Gjermani, Poloni dhe vende të tjera.

Ato kanë ndërprerë edhe udhëtimin ajror, ku shumë fluturime për në Evropë ose janë vonuar ose janë anulluar.

Por moti i keq ka krijuar probleme udhëtimi edhe në det. Porti francez i Kalesë u mbyll të shtunën duke shkaktuar vonesa për automjetet rreth portit anglez Dover ku shërbimet e trageteve ishin prekur tepër.

Edhe treni i shpejtë që lidh Londrën dhe Parisin, dhe zakonisht punon pa probleme u detyrua të ndalonte.

n.e/NOA

Â

KOMENTE