English

E treta e vërteta?

Po tregohet ashiqare se me nivelin vetëdijes që e kanë partitë tona, nuk mjafton instrumenti i kontrollit të ndërsjellë të komisionerëve dhe vëzhguesve, por se duhet të ketë edhe elemente shtesë të arbitrimit e edhe të ndëshkimit të vjedhjes së votës

Nga Shkëlzen Maliqi

Rekomandimi i KZAP-it që zgjedhjet të përsëriten në tri komuna (Prizren, Gjilan dhe Lipjan), shumë vështirë mund të komentohet me kompetencë, për shkak të shkallës së ultë të informimit që kemi për keqpërdorimet e votës. Në përgjithësi, edhe KQZ-ja edhe KZAP nuk treguan as më 15 nëntor, e as më 13 dhjetor, aftësinë dhe transparencën e mjaftueshme për të informuar saktë dhe me kohë opinionin. Me këtë, nuk dua të them se puna e KQZ-së dhe KZAP-it nuk ka qenë e mirë dhe korrekte. Për këtë, nuk mund të paragjykoj. Ka të ngjarë që këto dy organe kanë qenë në nivel të detyrës, madje se e kanë dhënë maksimumin e mundshëm në përmbushjen e obligimeve ligjore. Mirëpo, është e qartë se KZAP dhe KQZ, si dy instanca me rëndësi kyçe për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, nuk i kanë siguruar, dhe ky nuk është vetëm faji i tyre, të gjitha kushtet e punës dhe stafin e mjaftueshëm, që të përmbushin nevojat e informimit të saktë dhe me kohë për votën dhe sjelljet devijante në rreth 40 vendvotime, në të cilat janë konstatuar lëshimet dhe hilet e mëdha. Konkretisht, kjo do të thotë se KQZ'ja dhe KZAP'i kanë punuar mirë në numërimin dhe kontrollin e votës, por nuk i kanë organet që opinionit ia bëjnë transparent procesin. Për shembull, nëse në disa vendvotime në Prizren qenkan evidentuar keqpërdorimet që kanë devijuar votën, as votuesit në Prizren, e as opinioni i gjerë, nuk dinë saktë se kush dhe si e ka keqpërdor votën, kush ka kontribuar në këtë, kush duhet të përgjigjet para ligjit, sa kanë ndikuar këto keqpërdorime në totalin e rezultatit, etj. Ashtu sikur që në vetë shpalljen e rezultateve preliminare, partitë dhe kandidatët garues nxitonin që të shpallnin fitoren në bazë të numërimeve ashiqare jo-komplete dhe të manipuluara, ashtu edhe mungesa e informatave të përpunuara dhe të sqaruara për opinionin, vetëm sa ia shtojnë vajin zjarrit të animeve dhe paragjykimeve. Në raportin e KZAP-it, të paktën në formën që është dhënë, mungon argumentimi i vendimit për çdo vendvotim ku ka pasur lëshime që dëmtojnë votën dhe mjegullojnë ose favorizojnë pa merita njërin kandidat si fitues, dhe tjetrin si humbës. Zgjidhja solomone, që të përsëriten zgjedhjet, ndoshta është vendimi më i drejtë, mirëpo në mungesë të ekspertizës, të argumenteve sqaruese, e lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të paragjykimeve dhe të propagandës që pohon se PDK, ose LDK i ka fituar zgjedhjet, ose se janë të paktën "fitues moralë", gjë që mund të tensionojë edhe procesin e balotazhit të përsëritur, nëse kjo do të ndodhë. Një mungesë tjetër po aq e madhe, dhe ndoshta edhe qenësore, është ajo e mosidentifikimit të karakterit të keqpërdorimit të votës, që do të ishte bazë edhe për ndjekjen penale të komisionerëve. Pa këto sqarime, ose të paktën kërkesën që të zhvillohen hetimet ndaj personave të identifikuar si përgjegjës, KZAP dhe KQZ do të kontribuonin në amnistimin e keqpërdoruesve jo vetëm në rastin e tre komunave ku ka propozuar përsëritjen e zgjedhjeve, por edhe në Gjakovë, si rastin më drastik të raundit të parë të zgjedhjeve. Nëse zyrtarët dhe komisionerët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së që janë përgjegjës për devijime serioze të votës nuk do të hetohen dhe dënohen, kjo do të ishte papërgjegjësi e radhës dhe një lëshim i ri i madh që dëmton instalimin dhe respektimin e rregullave në procesin zgjedhor. Problemi qenësor i sistemit zgjedhor është ai i mungesës së një arbitrit të fuqishëm neutral, i cili do të kontrollonte dhe ndëshkonte çdo keqpërdorim të votës së lirë. Po tregohet ashiqare se me nivelin vetëdijes që e kanë partitë tona nuk mjafton instrumenti i kontrollit të ndërsjellë të komisionerëve dhe vëzhguesve, por se duhet të ketë edhe elemente shtesë të arbitrimit e edhe të ndëshkimit të vjedhjes së votës. Ligji zgjedhor duhet të plotësohet ashtu që të destimulojë të gjitha llojet e keqpërdorimeve të konstatuara: mbushjen e kutive me fletëvotime "fantome", prishja e fletëvotimeve të rregullta (zakonisht në dëm të partive të vogla), "blerja" e komisionerëve të partive tjera, falsifikimi i procesverbaleve etj. Elementi ndëshkues do të përfshinte jo vetëm keqpërdoruesit direkt, por dhe partitë ose kandidatët që garojnë për pushtet, ku varësisht nga shkalla e keqpërdorimit, abuzuesit e votës do të ndëshkoheshin jo vetëm me anulimin e një vendvotimeve ku janë konstatuar shkeljet, por edhe me masa tjera, deri edhe në diskualifikimin e një partie ose të kandidatit. Nëse ndëshkimet do të ishin të këtilla, drastike, as Hanefi Muharremi, as Rramadan Muja e as Pal Lekaj, ose cilido kandidat tjetër, nuk do të mbetej vetëm me ndërgjegjen e patrazuar. Me panele të këtilla, vetë këta kandidatët do të insistonin që të mos rrezikohet gara, dhe të respektohen rregullat.

(*) Marrë nga "Express"

KOMENTE