Shkodër, 21 dhjetor, NOA - Në qytetin e Shkodrës sot do të zhvillohen ceremoni homazhesh në shenjë nderimi dhe përkujtimi ndaj ish-deputetit të kësaj zone, Lekë Çukaj, i cili humbi dje jetën gjatë një aksidenti të rëndë rrugor në aksion Shkodër-Lezhë.
Autoritete të shumta, jo vetëm të fushës politike në vend, por edhe qarqeve të tjera, mësohet se do të jenë të pranishëm në këto ceremoni për të nderuar ish-deputetin dhe kontributin e tij në fushën politike të vendit për vite me radhë.
Ndërkaq, ditën e djeshme kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në emër të Kuvendit i ka shprehur "ngushëllimet më të sinqerta e më të thella" familjes së ish-deputetit Lekë Çukajt.
"Humbja e jetës në aksident e ish deputetit të Partisë Socialiste, Lekë Çukaj ishte një lajm i hidhur për të gjithë kolegët, dashamirësit, miqtë dhe veçanërisht për familjen e të ndjerit", thuhet në mesazhin e dhënë pak orë pas ngjarjes, nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
n.e/NOA