English

Ksera: Rritja e punësimit, objektiv i rëndësishëm i Qeverisë

Tiranë, 21 Dhjetor NOA - Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, priti në një takim drejtuesit e projektit të Hidroçentralit të Devollit, kryesuar nga Jan Daleng, drejtor i operimeve të Projektit. Gjatë takimit, biseda u përqendrua në rëndësinë që ka ky investim për zonën, jo vetëm në zhvillimin ekonomik të saj, por edhe social, nëpërmjet rritjes së punësimit dhe uljes së varfërisë.

Sipas z. Daleng, hidrocentrali i Devollit do të jetë një vepër e madhe e shumë komplekse dhe, për këtë arsye, në ndërtimin e saj do të nevojitet fuqi punëtore e specializuar vendase dhe e huaj, ndaj bashkëpunimi me strukturat përgjegjëse qendrore dhe vendore që hartojnë dhe zbatojnë politika në fushën e punësimit që në fazën fillestare të realizimit të kësaj vepre do të jetë me interes të përbashkët, duke përshtatur kështu strategjitë e zhvillimit të këtij rajoni me komponentët kryesorë të ndërtimit të kësaj vepre.

Ministri u shpreh se objektivat e kësaj Qeverie për rritjen e punësimit në katër vitet e ardhshme janë të qarta dhe pikërisht zhvillimi ekonomik i vendit, rritja e investimeve të huaja dhe ndërtimi i veprave të tilla të mëdha do të jenë faktorët kryesorë që do të ndikojnë në realizmin e këtij objektivi.

Ksera kërkoi që përfaqësuesit e Projektit të Hidrocentralit të zhvillojnë një takim me zyrat e punës të tri rajoneve që përfshijnë Luginën e Devollit, me qëllim fillimin sa më shpejt dhe konkretisht të bashkëpunimit për punësimin me prioritet të fuqisë punëtore vendase.

"Kësaj, u shpreh Ministri, do t'i shërbente edhe fillimi paraprakisht i një bashkëpunimi me zyrat tona të punës për formimin profesional të fuqisë punëtore, me qëllim aftësimin e tyre për procese të veçanta pune."

"Që në krye, kam konstatuar se Qeveria e re, e mandatuar pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, po punon shpejt dhe me profesionalizëm për realizmin e objektivave që i ka vënë vetës në ndërmarrjen e punëve të mëdha", u shpreh Daleng.

Kërkesës së Ministrit Ksera që përveç realizmit sipas të gjithë komponentëve të këtij investimi të rëndësishëm, investitori t'i kushtojë vëmendje edhe bashkëpunimit me pushtetin vendor për të ndërmarrë iniciativa për zhvillimin social të komunitetit, ruajtjen e mjedisit, etj., Daleng iu përgjigj pozitivisht.

Më tej biseda u përqendrua edhe në domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes kompanisë zbatuese të projektit me Inspektoratin Shtetëror të Punës, me qëllim marrjen e masave parandaluese për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së punëmarrësve.

Hidroçentrali i Devollit është një sipërmarrje e përbashkët shqiptare ndërmjet Kompanisë Norvegjeze Statkraft AS dhe Kompanisë Austriake EVN AG, të cilat pas një proçesi tenderimi ndërkombëtar, morën me konçension zhvillimin e impianteve të hidroçentraleve në luginën e Devollit.

Hidroçentrali i Devollit pritet të zhvillojë, planifikojë, ndërtojë dhe operojë hidroçentralet në lumin e Devollit, duke mbajtur një balancë dhe barazi ndërmjet rëndësisë së konsideratave ekonomike, mjedisore dhe sociale në këtë rajon.

e.r/NOA

KOMENTE