English

Kur do ta kemi një polici vërtet komunitare

"Ne do të kemi një polici komunitare atëherë kur qytetari të telefonojë për çdo shqetësim të tijin, pavarësisht nëse kjo përbën ose jo vepër apo kundërvajtje penale. Kjo do të ndodhë kur qytetari ynë nuk do të ketë frikë se denoncimi i tij do ta dekonspirojë atë tek i denoncuari dhe kur policia nuk do t'i kërkojë qytetarit të vijë në komisariat për veprime policore apo procedurale kur ai denoncon një veprim të paligjshëm"

Nga Hysni Burgaj* (Foto: NOA/LSA

Drejtor i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit

Analiza e punës së Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë është analiza më e rëndësishme, nga e cila varen shumë parametra të punës së të gjithë organizatës tonë të policisë së shtetit.

Kjo:

-jo vetëm për anën sasiore të punës, e cila në volumin e saj zë gati 1/3 e të gjithë punës së policisë së shtetit,

 -jo vetëm për faktin se policia e Drejtorisë së Qarkut të Tiranës është gati 1/3 e numrit të përgjithshëm të personelit të Policisë së Shtetit, por

-veçanërisht sepse në Drejtorinë e Qarkut të Tiranës kërkohet edhe një cilësi më e lartë dhe performancë dukshëm më e mirë se pjesa tjetër e policisë dhe kjo lidhet me një sërë arsyesh ku më kryesoret do të theksoja:

-Aktivitetet kryesore dhe më të rëndësishme ekonomike të vendit zhvillohen këtu,

-Institucionet qendrore shtetërore zhvillojnë aktivitetin këtu,

-Selitë diplomatike, O.J.Q. të huaja, shqiptare etj., selitë drejtuese të partive politike, organizatave fetare, sportive, etj., aktivitetin e vet kryesor e kanë në Tiranë.

Po e përmend këtë fakt jo se nuk dihet, as se është diçka e re, por sepse është një faktor tepër i vlerësueshëm në gjithë punën e Drejtorisë së Policisë Tuaj dhe që duhet mbajtur gjithmonë parasysh nga drejtuesit e kësaj drejtorie, sepse ne një farë mënyre policia e Tiranes është pasqyra e Policisë së Shtetit.

Kjo është arsyeja kryesore që unë jam sot këtu pjesëmarrës në analizën tuaj për vitin 2009 dhe që me kënaqësi do të doja të jepja disa nga vlerësimet e mia dhe të stafit drejtues të Policisë së Shtetit për punën tuaj.

Shënohen një sërë arritjesh pozitive për vitin 2009 për Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë si më poshtë:

A- Kështu një nga objektivat kryesore të realizuar me cilësi nga ana e policisë së Tiranës nën drejtimin e drejtuesve tuaj, është përmbushja e plotë e detyrave që i ngarkon ligji zgjedhor Policisë së Shtetit. Policia e Tiranës, si e gjithë policia e shtetit, ka treguar profesionalizëm, integritet dhe paanësi në gjithë situatën para dhe paszgjedhore të 28 Qershorit ku dhe mori vlerësim maksimal nga gjithë spektri politik shqiptar, partnerët e huaj dhe misionet vëzhguese të OSBE-ODIHR. Vlerësojmë veçanërisht Drejtorinë e Policisë së Tiranës për vetë mbingarkesën që ka ajo në fushatën zgjedhore.

B- Objektiv tjetër, i cili është në rrugë të mbarë dhe po jep rezultat, është "patrulla e përgjithshme" dhe shërbimi i realizuar prej saj, që sipas të gjitha të dhënave të analizës por edhe të opinioneve të marra nga komuniteti, janë pozitive. Edhe në këtë drejtim, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë qëndron në pararojë të policive të Drejtorive të Qarqeve dhe është një pikë nga ku Drejtoritë e tjera duhet të marrin eksperiencë.

C- Bashkëpunimi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës dhe i strukturave të saj me organet e tjera, si ato të qeverisjes vendore, institucioneve të tjera qendrore shtetërore apo edhe O.J.Q. ka një përmirësim të vazhdueshëm, gjë e cila jo vetëm jep rezultate të mira në luftën kundër kriminalitetit, por edhe përmirëson ndjeshëm imazhin e policisë së shtetit.

D- Në luftën kundër kriminalitetit, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka shumë aspekte pozitive siç janë:

-rezultatet e mira të arritura në luftën kundër korrupsionit,

-në luftën kundër krimeve kompjuterike për të cilat jemi koshientë që është një fushë e re pak e njohur për të gjithë ne, e megjithatë ka pasur arritje pozitive,

-në evidentimin e plotë të veprave penale, duke e lënë mbrapa përfundimisht praktikën e vjetër e të gabuar të fshehjes ose mosraportimit të një sërë veprash penale.

-koordinimi i mirë i strukturave policore të drejtorisë për evidentimin dhe kapjen e personave në kërkim,

-kryerja e një sërë operacionesh policore, duke përdorur edhe metoda speciale të hetimit, të cilat kërkojnë një profesionalizëm të lartë nga punonjësit e policisë, është një tjetër aspekt për t'u lavdëruar e vlerësuar i punës së kësaj drejtorie dhe drejtuesve të saj.

E- bashkëpunim rezultativ dhe i vlerësueshëm me organin e prokurorisë, i cili është vendimtar në suksesin e luftës kundër kriminalitetit.

Nisur nga vetë rezultatet e analizës së punës për vitin 2009 që janë paraqitur nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, përveç arritjeve pozitive, konstatohen edhe probleme të cilat duhen të merren me seriozitet maksimal për vitin e ardhshëm.

Konkretisht, më poshte kemi disa objektiva te Drejtorisë së Qarkut dhe i ballafaqojmë ato me rezultatet e paraqitura në këtë analizë.

1- Konstatohet se ka një rënie të theksuar në numrin e përgjithshëm të veprave penale në fushën e krimit të organizuar, gjë që duhet seriozisht të analizohet për të konkluduar nëse kjo rënie është faktike, apo është pamundësia e strukturave tona për t'i konstatuar dhe zbuluar.

2- Rezultatet në fushën e luftës kundër narkotikëve duket të kenë një rënie të konsiderueshme, e cila nuk mund të justifikohet me rënien e menjëhershme të trafikut në fushën e drogës. Vëmë re se në këtë drejtim ka rezultate në kapjen e shpërndarësve të drogës, por nuk ka rezultate të mira në zbulimin e trafikimit të drogave, gjë që nuk përputhet me realitetin, sepse nuk mund të ketë shpërndarje pa trafikim.

3- Ka rezultate të dobëta në zbulueshmërinë e krimeve kundër pronës. Ka disa figura krimi ndaj pronës, si vjedhja e automjeteve, ku zbulueshmëria shkon deri në 15 %. Këto shifra tregojnë edhe një problem tjetër, i cili u përmend në analizën tuaj, faktin që personat me precedentë kriminalë në këto fusha nuk mbahen nën kontroll.

4- Në analizë nuk ka asnjë të dhënë për ecurinë e raportit të ngjarjes në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tirane. Kjo mendoj se ndikon negativisht edhe tek efektiviteti i raportit të ngjarjes si burim informacioni për zbulimin e krimeve që përmendëm më sipër. Rritja cilësore dhe sasiore e raportit të ngjarjes, kam besim se do të jetë faktor në shtimin e informacionit kriminal, të vlefshëm për rritjen e zbulueshmërisë së veprave penale.

5- Së fundi, do të doja të theksoja se nga krahasimi i tabelës së rezultateve të zbulueshmërisë për krimet e rënda dhe nga të dhënat e zbulueshmërisë në përqindje të komisariateve ka një mospërputhje logjike dhe matematike.

Është i paqartë fakti i kësaj statistike të komisariateve të policisë dhe tabelës përmbledhëse më sipër, ku rezulton se krimet kundër personit dhe pronës kanë rritje, fuqia zbuluese ka rënie, ndërsa komisariatet e kanë fuqinë zbuluese mesatarisht 94-95 %.

-Në fakt, duhet të pyesim, se çfarë zbulojnë komisariatet, kur rezultatet e Drejtorisë janë 79 %? Kush është kontributi i tyre në luftën kundër kriminalitetit, kur zbulimi i krimit të vjedhjes së pronës është rreth 42%?

Këto probleme që konstatohen në Drejtorinë e Policisë Tuaj, po edhe në Drejtoritë e tjera, është e nevojshme që të analizohen:

Së pari, me sektorët përkatës, për të nxjerrë në pah shkaqet e tyre dhe mundësitë dhe rrugët e zgjidhjes.

Së dyti, analizat e tyre duhet të përcillen në drejtimet përkatëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, me qëllim që të bëhen objekt evidentimi dhe të gjenden mënyra zgjidhjeje për problemet, duke pasur parasysh që jo çdo zgjidhje mund të vijë vetëm nga struktura juaj, por mund të ketë nevojë edhe për ndihmën apo mendimin e strukturës drejtuese.

Së treti, të parashikohen në objektivat që duhet të realizohen në vitin e ardhshëm nga strukturat tuaja, me qëllim që të vihen në rrugën e zgjidhjes.

Disa rekomandime për t'u pasur parasysh në përcaktimin e objektivave tuaja si Drejtori Policie Qarku për vitin 2010, të cilat do të thoja se duhet të fokusohen në drejtimet e mëposhtme:

Së pari, forcimi i luftës kundër krimit të organizuar jo vetëm si një objektiv i rëndësishëm i qeverisë shqiptare për të forcuar shtetin dhe zbatimin e ligjit, por edhe si një nga parametrat kryesore të cilat duhet të përmbushë vendi ynë për liberalizimin e vizave dhe aderimin në B.E.

Jemi tashmë të gjithë koshientë së krimi i organizuar është pengesë serioze e forcimit të shtetit demokratik, forcimit të institucioneve dhe zbatimit të ligjit.

Së dyti, forcimi i luftës kundër krimit ekonomik e financiar, i cili në dukje nuk është shqetësues, ndërsa në realitet është gangrena e shtetit dhe ekonomisë.

Së treti, duhet të ketë një ndryshim cilësor në luftën kundër krimeve ndaj pronës dhe personit, si ndër fushat më të ndjeshme për komunitetin, i cili duhet të vlerësojë dhe prekë këto rezultate. Â Â Â Â Â Â Â Â Â

Së katërti, zhvillimi i policimit në komunitet.

Pa mohuar arritjet e mira të Drejtorisë tuaj në këtë drejtim, unë do t'ju sugjeroj se ne do të kemi një polici komunitare atëherë kur:

a-Qytetari të telefonojë për çdo shqetësim të tijin, pavarësisht nëse kjo përbën ose jo vepër apo kundërvajtje penale

b-Kjo do të ndodhë kur qytetari ynë nuk do të ketë frikë se denoncimi i tij do ta dekonspirojë atë tek i denoncuari dhe

c-Kur policia nuk do t'i kërkojë qytetarit të vijë në komisariat për veprime policore apo procedurale kur ai denoncon një veprim të paligjshëm.

Së pesti, raporti i ngjarjes duhet të jetë një proces i përfunduar dhe matësi i vetëm i punës së patrullës së përgjithshme.

Ju do të keni së shpejti në dorë planin e punës vjetor të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë për vitin 2010, ku do të fokusoheni më saktë për objektivat tuaja, prandaj dhe unë po e mbyll duke ju uruar suksese në punën tuaj.

(*) Fjala e mbajtur në analizën e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, sot më datë 21 dhjetor 2009

KOMENTE