Tiranë, 21 dhjetor NOA - Zëvendëskryeministri, dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm, Ilir Meta ka dalë sot në një konferencë për shtyp ku ka theksuar se vitit 2010 do të jetë viti i lëvizjes së lirë dhe i liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, pasi pothuajse të gjitha standardet dhe kërkesat e udhërrëfyesit të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave janë realizuar nga ana e qeverisë dhe institucioneve shqiptare.
Pyetjes së gazetarëve se a e gjykon të drejtë gjuhën e përdorur nga Kryeministri Berisha kundër opozitës, Ilir Meta iu përgjigj: "Unë mendoj që është më e dobishme që opozita në vend që të derdhë lot krokodili, për këtë gjoja mosarritje të bashkohet me përpjekjet e të gjithë ne, të gjithë shqiptarëve, në mënyrë që ky proces të ecë me ritme dhe më të shpejta. Por unë dua të siguroj se këto tre-katër muaj, situata ka qenë jashtëzakonisht dinamike dhe qeveria i ka përmbushur pothuajse të gjitha kërkesat edhe legjislative edhe teknike. Ndaj opozita është e mirëpritur tu bashkohet këtyre proceseve integruese. Të kontribuojë në mënyrë konstruktive. Nuk është momenti të fajësojmë njeri-tjetrin se përse kjo gjë nuk u bë më parë, por është koha që të mos humbasim më asnjë minutë në drejtim të këtyre proceseve integruese, si përsa i takon liberalizimit të vizave ashtu dhe procesit tjetër, atij të përgjigjes për Pyetësorin e Komisionit Europian dhe më pas për të fituar statusin e vendit kandidat dhe për të ecur drejt hapjes së negociatave me Bashkimin Europian" tha Meta.
"Duket sikur pasaportat kanë nisur atëherë kur filloi të prodhohej dhe bojkoti i opozitës në Kuvend. Sot opozita ka protestën e fundit për këtë vit, por z. Rama ka deklaruar se do t'i vazhdojë protestat derisa kutitë të hapen. Zoti Meta ju kini dhënë ofertën tuaj, por nuk është e mjaftueshme. Cila është zgjidhja? Ishte pyetja e gazetarëve që Meta iu përgjigj se "Gjithmonë për të pasur dialog duhen të paktën dy palë. Qeveria mbetet një palë e palëkundur në vullnetin për të zhvilluar dialogun dhe bashkëpunimin me opozitën, por edhe me shoqërinë civile, me gjithë grupet e interesit, sepse procesi i dialogut është shumë më i gjerë sesa vetëm midis mazhorancës dhe opozitës.
Ne dëshirojmë dhe shpresojmë që të ketë një reflektim nga ana e lidershipit të PS-së, pasi kontributi që kjo forcë politike dhe opozita mund të jap për integrimin e vendit nuk është në rrugë sepse është thënë më shumë sesa një herë nga BE; që bojkoti nuk është një normë europiane dhe që nuk e ndihmon integrimin europian. Por natyrisht që kjo mbetet një e drejtë e tyre. Qeveria është e palëkundur në vullnetin e saj për dialog me opozitën dhe me gjithë grupet e tjerë të interesit në vend. Ju e keni dëgjuar dhe Kryeministri Berisha ka bërë të qartë që është i gatshëm të vlerësojë dhe të marrë në konsideratë çdo kërkesë legjitime të opozitës".
Ndërkohë Meta ka hedhur poshtë akuzën e PS-së se është shkaktari i krizës politike.
"Mos prisni nga unë të bie në nivelin e provokimeve të tyre. Nuk ka krizë në vend. Cila është kriza? Në vend ka një problem të madh i cili është ç'orientimi politik i opozitës. Është dalja e saj nga binarët e demokracisë dhe parlamentarizmit dhe shpresoj që kjo thjesht të jetë e përkohshme dhe të jeni të sigurt që përpjekja e tyre për të agresivuar situatën në vend në mënyrë artificiale, do të dështojë. Sepse Qeveria është e vendosur të ecë në rrugën e reformave, është e vendosur të ecë në rrugën e një zhvillimi të qëndrueshëm të vendit dhe nuk mundet kurrsesi të bjerë në nivelin e provokimeve aq të rëndomta e të bezdisshme tashmë edhe për qytetarët shqiptarë" tha Meta.
k.k/NOA
Â